Lajme

Raportimi i Simmons për EULEX-in, avokatët shohin “dritë në fund të tunelit”

Ish- kryetari i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons

Avokatët të cilët i kanë mbrojtur të akuzuarit në rastin “Drenica” dhe “Kleçka” po e vlerësojnë si të mirë raportimin e ish-kryetarit të Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, të bëra të hënën në Kuvendin e Kosovës. Por, gjithashtu vlerësojnë se ky raportim është i vonuar.

Sipas avokates Fehmie Gashi, raportimi i Simmons tregon se Kosova është dashur të formojë gjykata vendore menjëherë pas luftës.

“Edhe zoti Simmons është vonuar në dëshminë e tij. Gjithsesi do të duhej të kishim prova tjera për të mbështetur dëshmitë e tij. Megjithatë dëshmia e Simmons është dritë në fund të tunelit në lidhje me manipulimet e mundshme që janë bërë me shoqërinë kosovare. Ndoshta edhe klasa politike nuk ka treguar profesionalizëm sa duhet në këtë drejtim”, deklaroi avokatja Fehmie Gashi për RTV Dukagjinin.

Edhe Tomë Gashi, avokat në rastin “Drenica”, thotë se raporti i Simmons është i vonuar. Sipas tij, mbrojtja e të akuzuarve në Hagë duhet të ftojë Simmonsin si dëshmitar në Hagë për të dëshmuar për padrejtësitë që janë bërë.

“Simmonsin duhet ta ftojnë avokatët e të dyshuarve në Hagë, duke filluar nga zoti Thaçi deri te Pjetër Shala për të sqaruar për situatat që kanë ndodhur në EULEX. Një pjesë e dëshmitarëve të mbrojtur janë në gjendje të bëjnë gjithçka vetëm të largohen nga Kosova dhe të përfitojnë të mira materiale”.

Në rastin “Kleçka”, Fatmir Limaj ishte liruar nga të gjitha akuzat, derisa në rastin “Drenica”, ka pasur dënime me burg efektiv përfshirë edhe Sylejman Selimin./Shqip.com