Kulturë

Raporti ndërmjet shkrimtarit dhe lexuesit

Raporti ndërmjet shkrimtarit dhe lexuesit
Raporti ndërmjet shkrimtarit dhe lexuesit

Shkrimtari, në përpjekjet e tij, bën çmos që nëpërmjet veprës (artistike, shkencore) të depërtojë të lexuesi. Madje, ky është edhe qëllimi parësor i tij. Në të kundërtën, siç ka thënë Ovid (poeti i parë i romak), “të krijosh një vepër letrare pa pasur asnjë lexues, është si të vallëzosh i vetëm në errësirë”.

Në këtë kontekst, filozofi, njëherësh profesori universitar, Kristë Shtufi, konsideron që autori dhe lexuesi kanë një raport dhe një komunikim te çuditshëm mes tyre.

Në kuptimin konkret ekziston një autor që e ka shkruar një vepër dhe lexuesi që merr kohë për të lexuar dhe mendon dhe rrëmbehet emocionalisht në tablotë e gjalla të veprës së shkruar, e cila e bën lexuesin të reflektojë për ngjarjet e mendimet e dhëna aty dhe e bën lexuesin ta përjetojë aq gjallë veprën, sa që në njëfarë dore ai – lexuesi – paradoksalisht zhduket dhe bëhet lexues abstrakt qe nuk lexon vetë por që fitohet ndjenja qe vepra vetëm lexohet (nga dikush në mënyre jopersonale), sikur të zhdukej subjekti që lexon, mu sikur në ndonjë film ku zhduket shikuesi sepse rrëmbehet e futet brenda në film”, ka thënë për Shqip.com, Kristë Shtufi.  

Filozofi, njëherësh profesori universitar, Kristë Shtufi

Më pastaj, sipas tij, mund të thuhet se paradoksalisht në kuptimin abstrakt as autori e as lexuesi nuk ekzistojnë.

Sepse autori në veprën e mirë e zhduk lexuesin, me aq sa e rrëmben dhe e fut në ngjarje, dhe lexuesi e zhduk autorin duke e përjetuar veprën aq mirë dhe gjallë sa që autori zhduket fare gjatë leximit e përjetimit dhe nuk është ndjenja se këtë vepër po e tregon apo rrëfen një autor, por qe ajo po përjetohet në mënyrë të gjallë dhe po tregohet nga dikushi nga një pikë prej askundit”, ka thënë Shtufi.

Në këtë aspekt, sipas tij, zhduken edhe autori edhe lexuesi, dhe themi vetëm se tregimi po rrëfehet dhe po përjetohet – pa subjekte, pa subjektin përbërës.

Krejt bëhet impersonale. Veprën nuk e rrëfen dikush por rrëfehet si vetvetiu dhe nuk e përjeton dikush, por ajo përjetohet dhe reflektohet nga dikush ne mënyre imperaonale. Ky është një komunikim i harresës, i zhdukjes së autorit dhe lexuesit përmes veprës së mirë artistike letrare. Kjo është ikja nga realiteti robust në realitetin fiktiv, që si duket është po aq robust sa ai qe është vërtet robust. Prandaj, komunikimi mes autorit dhe lexuesit është i çuditshëm, por gjithsesi kreativ dhe frytdhënës”, ka thënë në fund, për Shqip.com, Kristë Shtufi.

Ndryshe, sipas studiueses, njëherësh profesoreshës universitare, Mimoza Hasani-Pllana, shkrimtarja amerikane, Sylvia Plath, mbahet mend për stilin e saj të të shkruarit që lidhet me emocionet, përjetimet e saj, ndaj sa herë i përmendet emri kemi parasysh stilin e të shkruarit mbi përvojat personale e larg interesimeve për lexuesin.

Në këtë pikë, dua të shoh raportin në mes të shkrimtarit dhe lexuesit, nëse shkrimtari shkruan për veten për të eksploruar gjendjen shpirtërore si rasti i Plath kur thotë më lejo të jetoj, dashuroj dhe të shprehem me fjalët e duhura, apo si shkrimtari shkruan duke pasur në mendje lexuesin si pjesë e domosdoshme e shkrimit, si rasti i shkrimtarit amerikan, John Cheever”, ka thënë për Shqip.com, Mimoza Hasani-Pllana. 

Studiuesja, njëherësh profesoresha universitare, Mimoza Hasani-Pllana

Pikërisht, sipas saj, kjo pyetje ka ngjallur vazhdimisht reagime dhe ka sjellë qëndrime të ndryshme të natyrës se, shkrimtari shkruan nga dëshira për të shprehur apo rijetuar një ndjesi përmes shkrimit, deri te mendimet se pa kujtuar lexuesin shkrimtari do ta ketë të pamundur shkrimin.

Për qëndrimin e dytë, kujtojmë Cheever-in, kur thotë se nuk mund të shkruaj pa lexues, është saktësisht sikur puthja – nuk mund ta bësh i vetëm. Deri diku edhe për Charles Dickens-in ishte njësoj, ngase ai kishte një marrëdhënie të ngushtë me lexuesit e tij, takime me të cilët për të ishin një kënaqësi e rrallë”, ka thënë Hasani-Pllana.

Në këtë kontekst, ajo mendon se, raporti mes shkrimtarit dhe lexuesit është pjesë e qarkut, ashtu si marrëdhënia mes folësit dhe dëgjuesit.

Nëse një folës nuk ka audiencën e tij, ai nuk e përmbush funksionin e folësit, transmetuesit të mesazhit, qoftë informativ apo bindës. Pra komunikimi mes shkrimtarit dhe lexuesit është i nevojshëm për të mundësuar shkëmbimin e nuancave dhe variacioneve të përvojës dhe kënaqësisë reciproke”, ka thënë në fund, për Shqip.com, Mimoza Hasani-Pllana.

E, në këtë kontekst, shkrimtari, njëherësh studiuesi i njohur i letrave shqipe, Xhavit Beqiri, ka thënë se, kur shkruan, shkrimtari në imagjinatën e vet e “krijon” edhe lexuesin e tij. Pra, sipas tij, sado që vepra letrare shkruhet për të komunikuar me lexuesin e secilës kohë, autori i një vepre letrare gjithmonë e aspiron një lexues sipas kutit të tij estetik, një lexues që do ta akceptojë këtë vepër pikërisht ashtu siç e ka menduar vetë autori.

Porse, kjo është vetëm një situatë hipotetike, pasi që vepra letrare bën jetën e saj pavarësisht autorit, ndërsa lexuesi, varësisht nga kapaciteti dhe shija e tij estetike, “përzgjedh” të komunikojë vetëm me atë korpus letrar që u përshtatet pritjeve dhe kërkesave të tija. Së këndejmi, siç do të thoshte Elioti, autori duhet të krahasohet me të tjerët, me të gjallët e të vdekurit, për t’u përcaktuar vendi i tij në “hierarkinë” e vlerave letrare”, ka thënë për Shqip.com, Xhavit Beqiri.

Shkrimtari, njëherësh studiuesi i njohur i letrave shqipe, Xhavit Beqiri

Në një këndvështrim tjetër (bartian), lexuesi duhet ta përjetojë kënaqësinë estetike gjatë leximit të një vepre. E, nëse vepra nuk ta dhuron këtë kënaqësi, sipas tij, nuk ke pse të humbësh kohë me të.

Në kuptimin apo moskuptimin e një vepre letrare, në pranimin apo refuzimin e saj rol shumë të  rëndësishëm ka kritika letrare, e cila jo vetëm që e orienton lexuesin kah një tip leximi, por shpeshherë madje edhe e “përcakton” çka e si duhet të lexohet. Megjithatë, krijimi letrar është një lloj misteri, kështu që secili lexues e ka lirinë e leximit personal, e ka lirinë e pranimit apo të refuzimit”, ka thënë në fund, për Shqip.com, Xhavit Beqiri.

/Shqip.com