Lajme

Raporti i Progresit, LVV: Këtë vit më i miri nga 14 raportet e KE-së deri tani

Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se raporti i Komisioni Evropian për këtë vit është më i miri që nga viti 2018 – kur edhe ka filluar të vlerësohet puna e institucioneve të Kosovës nga ky organ i BE-së.

Deputetja, Fitor Pacolli ka thënë se ky është raporti i parë ku nuk evidentohet ndërhyrje në drejtësi, institucione e agjenci të pavarura.

Ajo shtoi se është hera e parë ku evidentohet progres dhe jo regres.

“Nga 14 raporte ky është raporti me i mirë në krahasim me vitet e kaluara dhe më i miri në krahasim me shtetet e rajonit, ky është raporti i parë ku nuk evidentohet ndërhyrje politike në sistemin e drejtësisë, administratës publike, sidomos në punësimin e shërbyesve civilë, në transmetuesin publik, dhe në institucione e agjenci të pavarura. Në të gjitha raportet kaluara ndërhyrjet politike evidentoheshin këto fenomene shqetësueses. Ky është raporti i parë ku evidentohet shumë më shumë progres dhe nuk evidentohet regres dhe kthim prapa”, ka thënë Pacolli në konferencë për media.

Pacolli tha se Kuvendi ka thyer rekord me numrin e ligje të miratuara, marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara dhe nismave legjislative.

Ajo tha se Kuvendi ka miratuar 123 ligje prej të cilave 31 marrëveshje ndërkombëtare.

“Kuvendi ka thyer rekorde me numrin e ligjeve të miratuara, marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara dhe nismave legjislative. Gjatë periudhës raportuese, qershor 2021- qershor 2022, Kuvendi ka miratuar 123 ligje prej të cilave 31 marrëveshje ndërkombëtare ndërsa viteve të tjera maksimumi i ligjeve ka të miratuara qenë 50 ligje. Një pjesë e madhe e ligjeve janë prioritet për agjendën evropiane ndërkaq një pjesë tjetër janë të rëndësisë jetike. Kemi përfunduar rregulloren e Kuvendit e cila nuk është ndryshuar që nga viti 2011 dhe kemi filluar reformën zgjedhore që ka qenë kërkesë e BE-së”, është shprehur ajo.

Edhe deputeti tjetër i VV-së, Armend Muja, tha se puna e mirë e Kuvendit u vlerësua lartë në Raportin e Progresit, duke u ndalur tek inciativa e opozitës për tërheqjen e 30 për qind të mjeteve nga Trust-i.

Ai tha se kanë mbajtur qëndrimin kundër sepse kanë menduar që kjo është për më të mirën e qytetarëve.

“Në dy raste specifike Komisioni Evropian e komenton qasjen e Kuvendit, sidomos të mazhorancës në raport me iniciativën për tërheqjen e Trustit, ne kemi mbajt qëndrimin kundër sepse kemi menduar që kjo është për më të mirën e qytetarëve dhe kjo njihet edhe nga Raporti i Progresit” tha Muja.

Muja, mes tjerash, tha se të gjitha të arriturat e gjetura në raportin për Kosovën janë kërkesa të Komisionit Evropian vit pas viti që janë plotësuar duke e lavdëuar punën e Kosovës në shumë sektore të ndryshme.

/Shqip.com