Lajme

Raporti i policisë nga Veriu: Situata e qetë dhe pa incidente

"Janë paraparë të gjitha planifikimet dhe veprimet operacionale për menaxhim të sigurisë dhe reagim profesional në rast të cenimi të sigurisë qytetare apo rendit kushtetues në vendin tonë”.
Policia e Kosovës / Foto: Visar Loku

Situata ka kaluar e qetë dhe paincidentet, ka njoftuar Policia e Kosovës, duke raportuar gjendjen në Veri të Kosovës ku një grup serbësh kanë protestuar pasi Qeveria e Kosovës, me rezolutë të votuar në Kuvend, ndaloi mbajtjen e Referendumit serb për ndryshime kushtetuese.

“Situata vlerësohet se ka kaluar e qetë dhe pa incidente|, thuhet në raportin e Policisë dërguar mediave.

Kishte disa përjashtime, siç ishte “mbajtja e disa tubimeve dhe marshimeve në lokacione/qytete të ndryshme, në cilësi të shprehjes së pakënaqësisë ndaj moslejimit të mbajtjes së referendumit në Kosovë”, por situata nuk ka eskaluar për asnjë moment.

Policia e Kosovës, njësitë elite të saj, në mënyrë të organizuar kanë patrulluar qysh mëngjesin e hershëm të së dielës në pjesë të ndryshme të Veriut.

Plani operativ i policisë kishte të bënte me ndalimin eventual nëse organizohet referendum ilegal atje, meqë Qeveria fillimisht, e më pas edhe Kuvendi, e ndaloi mbajtjen e tij.

“Shkelje flagrante e Kushtetutës dhe sovranitetit” u vlerësua se do të ishte, po që se lejohet Referendumi në Kosovë.

“Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit në bashkërendim me autoritetet kompetente, bazuar në aktet ligjore dhe rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, ka bërë planifikimet e saj operacionale për ruajtjen e rendit Kushtetues të RKS-së si dhe ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike në vend”, thuhet, veç tjerash, në komunikatën e policisë.

“Po ashtu janë paraparë të gjitha planifikimet dhe veprimet operacionale për menaxhim të sigurisë dhe reagim profesional në rast të cenimi të sigurisë qytetare apo rendit kushtetues në vendin tonë”.

Qytetarët serbë të Kosovës në pamundësi për të votuar në Kosovë, kanë zgjedhur të udhëtojnë drejt qyteteve të afërta serbe për të votuar në referendumin që u kërkonte përgjigje me “po” ose “jo”, në lejimin e ndryshimeve kushtetuese në Serbi./Shqip.com