Lajme

Raporti i BE-së: Kosova drejt themelimit të Asociacionit

Dialogu Kosovë – Serbi
Dialogu Kosovë – Serbi

Kosova pritet ta nisë punën për themelimin e Asociacionit, thuhet në raportin e Komisionit Evropian për vendin: “Formalitetet nuk duhet ta pengojnë përparimin në zbatim”. Në raportin e sivjetmë të BE-së, Kosova kritikohet për krizat në veri dhe i kërkohet të bëjë më shumë për shtensionimin e situatës në veri, në mënyrë që të hiqen masat ndëshkuese nga BE-ja.

Komisioni Europian thotë se Kosova ka mbetur e angazhuar në dialogun me Serbinë, por se duhet “të demonstrojë përkushtim më serioz, të investojë më shumë përpjekje dhe të bëjë kompromise për ta çuar përpara procesin e normalizimit”.

Në raportin vjetor për Kosovën, KE jep vërejtje për të dyja vendet që s’kanë filluar zbatimin e detyrimeve përkatëse. Aty thuhet, ndër tjerash, se Kosova pritet ta nisë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, bazuar në propozimin europian.

KE konstaton se “si Kosova ashtu edhe Serbia ende nuk kanë filluar zbatimin e detyrimeve të tyre përkatëse që rrjedhin nga Marrëveshja.

“Palët nxiten të fillojnë të angazhohen në mënyrë më konstruktive dhe të fillojnë zbatimin pa vonesa apo parakushte të mëtejshme. Kjo përfshin themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe (A/CSM). Kosova pritet të fillojë procesin që çon në themelimin e A/CSM bazuar në propozimin europian që u është paraqitur palëve më 21 tetor 2023 dhe Serbia pritet ta mbështesë këtë proces dhe të fillojë paralelisht me përmbushjen e obligimeve të saj kryesore nga Marrëveshja”, thuhet në raport. “Formalitetet, duke përfshirë edhe miratimin, nuk duhet ta pengojnë përparimin në zbatim. Palët gjithashtu kanë detyrimin t’i zbatojnë plotësisht të gjitha Marrëveshjet e kaluara të Dialogut. Konstruktiviteti i Palëve do të vlerësohet bazuar në performancën e tyre të zbatimit”, shtohet aty.

“Çështja e strukturave të drejtuara nga Serbia ka nevojë për t’u trajtuar në të njëjtin kontekst (të Asociacionit)”, thuhet në raport.

Duke ecur përpara, raporti thotë se “Kosova duhet t’i mbajë zotimet e saj në dialog dhe të angazhohet për zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të kaluara të Dialogut dhe Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve”.

“Kosova gjithashtu duhet të bëjë përpjekje të mëtejshme thelbësore për të shmangur veprimet që minojnë stabilitetin dhe retorikën që nuk është e favorshme për dialog. Kosova gjithashtu duhet të krijojë një mjedis të favorshëm për përfundimin e Marrëveshjes së normalizimit ligjërisht të detyrueshme me Serbinë. Kosova pritet të angazhohet në mënyrë më konstruktive për të mundësuar që negociatat për Marrëveshjen gjithëpërfshirëse të normalizimit ligjërisht të detyrueshme të fillojnë dhe të tregojë fleksibilitet për të bërë përparim të shpejtë dhe konkret. Arritja e një marrëveshjeje të tillë është urgjente dhe vendimtare në mënyrë që Kosova dhe Serbia të mund të avancojnë në rrugët e tyre europiane. Një kërkesë e rëndësishme për negociatat mbi Marrëveshjen gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme është që palët ta zbatojnë Marrëveshjen për Rrugën e Normalizimit me shpejtësi dhe efikasitet dhe pa asnjë kusht apo pengesë”, thuhet në raportin e bërë publik sot.

Në raport përmendet se dialogu përgjatë këtij viti u pengua “nga një numër i zhvillimeve dhe krizave negative në veri të Kosovës të shkaktuara nga veprimet e njërës ose të të dyja palëve”.

“Kosova ka kryer një sërë veprimesh të tilla në veri të Kosovës, duke përfshirë praninë e shtuar të policisë speciale të Kosovës dhe shpronësimin e tokës, të cilat kanë krijuar pakënaqësi të gjerë në mesin e popullatës lokale serbe të Kosovës dhe kanë ndikuar negativisht në Dialog”, thuhet ndër tjerash në këtë raport.

Aty përmendet edhe se “Këshilli Europian më 26 tetor 2023 shprehu keqardhje për mungesën e zbatimit nga të dyja palët të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe aneksit të zbatimit si dhe marrëveshjeve të tjera të arritura në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.

Në raport përshkruhen takimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe rezultatet apo mungesa e rezultateve nga ato takime. Marrëveshja për rrugën e normalizimit, e arritur më 27 shkurt në Brukse konsiderohet historike.

Edhe në raport përsëritet thirrja që “zgjedhjet e parakohshme lokale duhet të mbahen sa më shpejt që të jetë e mundur në të katër komunat (në veri), të organizuara në mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse dhe me pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve të Kosovës”.

Ndëshkimi që Kosova e mori nga BE-ja përmendet gjithashtu në këtë raport, ku thuhet duhen më shumë veprime që ato të hiqen.

“Për shkak të mungesës së hapave vendimtarë për të de-përshkallëzuar, dhe në përputhje me deklaratën e 3 qershorit, BE është duke zbatuar një sërë masash ndaj Kosovës, të cilat ndikojnë edhe në mbështetjen financiare. Këto masa janë të përkohshme dhe plotësisht të kthyeshme, në varësi të hapave të ndërmarra për të de-përshkallëzuar tensionet në veri të Kosovës. Kosova ka bërë hapa në drejtimin e duhur, por më shumë mbetet për t’u bërë”, thuhet në raport.

Raporti evidenton një përkeqësim të marrëdhënieve ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe komunitetit serb.

“Në përgjithësi, marrëdhëniet ndërmjet qeverisë dhe komunitetit serb të Kosovës janë përkeqësuar në mënyrë të konsiderueshme”, thuhet në raport.

Serbia pritet të angazhohet në mënyrë kontruktive, sipas raportit, për të lejuar që ura mbi Ibër të hapet për qarkullim pa pengesa. “Çdo vendim për hapjen e urës duhet të miratohet dhe të koordinohet në Dialog”.

Për të gjetur një rrugëdalje nga cikli i krizave, raporti thotë se “palët pritet t’i plotësojnë kërkesat e BE-së, sipas deklaratave të Përfaqësueses së Lartë në emër të BE-së” në lidhje me de-përshkallëzimin e situatës në terren, “duke mundësuar zgjedhje të reja të parakohshme me pjesëmarrje të pakushtëzuar të serbëve të Kosovës dhe kthim në dialog dhe zbatim të të gjitha marrëveshjeve”.

“Këshilli Europian u shpreh më 26 tetor 2023 se dështimi për të de-përshkallëzuar tensionet do të ketë pasoja”, thuhet në raport.

/Shqip.com