Lajme

Ramush Haradinaj thirrje BE-së, dorëzoje portofolin – dialogu të zhvendoset në Shtëpinë e Bardhë

Ramush Haradinaj - Kryetar i AAK-së

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar që Bashkimi Evropian ta dorëzojë procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë në duart e Shtëpisë së Bardhë.

Ai këtë deklaratë e ka bërë pas takimit që kishte kryeministri, Albin Kurti me presidentin serb, Aleksander Vuçiq në Bruksel  – por përfundoi pa ndonjë marrëveshje.

“Amerika kësaj here i dha shtytje procesit të udhëhequr nga BE dhe ndihmoi dhe e riktheu normalitetin në raportet Kosovë-Serbi.

Duke i shprehur mirënjohje Bashkimit Evropian për lehtësimin e dialogut, është momenti i duhur që BE ta dorëzojë portfolion te Presidenti Biden, për marrëveshjen finale për njohje reciproke Kosovë – Serbi”, ka shkruar ai në Facebook.

Tutje i pari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se dialogu i deritashëm nuk guxon të zbehet e të rikthehemi prapë të flasim për të njëjtat tema.

Ndryshe, takimi i 18 gushtit shënon herën e tretë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq negociojnë në Bruksel.

Kurti dhe Vuçiq janë takuar dy herë vitin e kaluar, por pa ndonjë rezultat konkret.

Takimin e së enjtes e ka kërkuar kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, më 31 korrik./SHQIP.com