Lajme

Ramosaj thotë se helmimi në Deçan po dyshohet të jetë i qëllimshëm

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, është deklaruar rreth situatës së krijuar pas dyshimeve se qindra qytetarë janë helmuar nga uji i pijës, njofton Shqip.com.

Në një konferencë për media të mbajtur gjatë pasdites së sotme, Ramosaj tha se kjo është hera e dytë që paraqitet një rast i tillë, gjë që po e shtynë pushtetin lokal në këtë komunë të mendojë se është diçka e qëllimshme.

Por ai ka paralajmëruar se rastin e kanë lënë në dorë të Prokurorisë së Shtetit për të zhvilluar hetimet dhe nëse vërtetohet se ka pasur helmim, atëherë do të merren maaa ligjore ndaj Kompanisë së Ujësjellësin “Hidrodrini”.

“Dy herë brenda një muaji e kemi pasur situatën e njëjtë kështu që po na shtynë që të mendojnë që kjo është diçka e qëllimshme. Por, le të mbetet në dorën e Prokurorisë së Shtetit që t’i zhvillojë hetimet. Nëse vërtetohet se ka pasur helmim atëherë ne ndaj Ujësjellësit Regjional ‘Hidrodrini’ do të marrim masat ligjore në fuqi të shtetit të Kosovës”, ka thënë ai.

I pari I Deçanit shtoi se tashmë i kanë marrë rezultatet kimike dhe janë në pritje edhe të atyre biologjike nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Pejë.

Sipas tij bazuar në rezultatet në aspektin kimik uji nuk paraqet ndonjë problem dhe se mund të përdoret për pije, por rezultatet biologjike do të vërtetojnë shkakun.

Ramosaj njoftoi se 884 banorë të kësaj komune kanë kërkuar ndihmë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan.

“Ne kemi pasur katër takime me IKSHPK-në në Pejë. Rezultatet kimike i kemi marrë nga ata. Tani po i presim edhe rezultatet biologjike deri kah mbrëmja edhe pastaj duhet edhe analiza të tjera. Kimikisht është vlerësuar që nuk ka ndonjë telashe për përdorimin e ujit të pijes. Tani jemi duke pritur edhe analizat biologjike. Deri më tani 884 pacientë i kanë pasur simptomat e njëjtë”.

“Ditën e shtunë i kemi pasur 164 raste. Fillimisht është dyshuar që është një sëmundje virale apo sezonale. Kur numri ka filluar që të rritet dhe simptomat kanë qenë të njëjta ne kemi dyshuar se helmimi ka ardhur nga uji. Për këtë shkak në 10 fshatra e kemi ndërprerë furnizimin me ujë të pijes”, ka thënë ai. /Shqip.com