Sport Ndërkombëtar

Ramos ka një këshillë për Harry Kane

Edhe Sergio Ramos nuk mund të rrinte pa dhënë një opinion mbi transferimin e mundshëm të Harry Kane nga Tottenhami te Reali i Madridit. Ish-mbrojtësi i “Los Blancos”, që në orët e fundit lajmëroi lamtumirën ndaj Paris Saint-Germain, ka folur mbi blerjen e mundshme të “bomberit” anglez nga spanjollët.

“Këshilla ime ndaj çdo lojtari është të mos refuzojë mundësinë për të luajtur për Realin e Madridit, është një klub special që di se si fitohet”, ka thënë Ramos duke shtuar më pas në lidhje me qendërsulmuesin: “Kane ka një prezencë fizike të pabesueshme, nuk mund të shënosh aq shumë gola sa ai në Premier League nëse nuk mbështetesh edhe në aspektin fizik të lojës. Ai është edhe në gjendje të bëjë diferencën në nivelin teknik gjatë ndeshjeve dhe mendoj se nuk flitet shumë për këtë aspekt. Ai është një ‘bomber’ i madh por edhe një lojtar shumë i talentuar”.

/Shqip.com