Sport Shqiptar

Ramadani me vlerësim interesant për skuadrën e tij

Gjilani i ka zhgënjyer tifozët me humbjen që e ka pësuar në shtëpi nga Drenica me shifrat 0:2.

Pas ndeshjes, trajneri Zekirija Ramadani ka bërë një vlerësim interesant, duke thënë se Gjilani që nga momenti që po pranon gol, po luan si një ekip 17-vjeçarësh.

“Në përgjithësi luajtëm mirë dhe krijuam raste, por nuk arritëm të konkretizonim, kundërsulmet e kundërshtarit ishin vrasëse. Nuk ishim të kënaqur as me barazim, rrezikuam tepër dhe në fund dështuam. Jemi bërë si një ekip 17 vjeçarësh, pasi në momentin që pranojmë gol humb motivi, humb shpresa. Nuk kishim as mesfushë si duhet as mbrojtje, por as sulm. Drenica fitoi me meritë, luftuan më shumë se ne”, tha fillimisht ai.

Më pas ai ka folur edhe për repartet e skuadrës së tij.

“Nuk mund ta fajësoj vetëm sulmin, asnjë skuadër nuk varet vetëm nga sulmi, nuk po i shfrytëzojmë as ndërprerjet kur kemi mbrojtës dominant. Unë i kuptoj sulmuesit, jam me ata gjithmonë do jem me ta”, përfundoi Ramadani.

Pas javës së 12-të, Gjilani renditet në pozitën e katërt me 18 pikë, 9 më pak se rivali lokal, Drita, që e kryeson renditjen.

/Shqip.com