Lajme

Lija e majmunëve, IKSHPK: Nuk është raportuar asnjë rast i dyshimtë në Kosovë

Drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani

Drejtori i Institutit Kombëtare të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Naser Ramadani, ka thënë se në vendin tonë nuk është asnjë rast me lijën e majmunëve.

Në një konferencë për media, Ramadani, ka thënë se nuk ka patur asnjë konfirmim për shpërndarje të mundshme të këtij virusi, teksa shtoi se IKSHPK-ja është në gjendje gatishmëri për çfarëdo ndryshimi.

“Aktualisht në Kosovë nuk ka raste të dyshimtë të raportuara nga institutet shëndetësorë. Për çdo ndryshim IKSHPK është në gjendje gatishmëri”, tha ai.

Ramadani ka thënë se zakonisht periudha që zgjatë lija e majmunëve është 13 deri në 21 ditë.

“Shfaqet me ethe, ënjtje të nyejve limfatike. Është sëmundje me simptomat të kufizuara që zgjasin nga dy deri në 4 javë. Përmes kontaktit të ngushtë me njerëzit e infektuar, por edhe me kafshë të infektuara. Virusi transmetohet nëpërmjet kontakteve, pikave të frymëmarrjes apo të tjera.Paraqitja klinike ngjan me linë e ujit dhe është e lidhur ngushtë me të. Mbikëqyrja dhe intervenimi nga shpërthimi mund të parandalohet duke shtuar vigjilencën nga rastet e para në botë. Punëtorët shëndetësorë dhe anëtarët e familjes janë më të rrezikuar nga ky virus”, tha Ramadani.

“Mostrat duhet të trajtohen nga staf i trajnuar, edukim i rrezikut nga transmetimi prej kafshëve duhet të ketë kujdes të shtuar. Të gjitha ushqimet që kanë përbërje nga kafshët duhet të gatuhen shumë mirë para servimit”, shtoi ai.

Ai gjithashtu ka thënë se rreziku është i përgjithshëm dhe sipas tij nuk ka ndonjë rrezik të posaçëm për ardhjen e bashkatdhetarëve dhe mund të vijnë lirisht në Kosovë.