Ramabaja del me njoftim për protestën e paralajmëruar për Asociacionin

Gjatë ditës së sotme në ora 12:00 pritet të organizohet një protestë për të kundërshtuar themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Për këtë protestë Sadri Ramabaja, anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ka lëshuar një paralajmërim pak minuta para organizimit të protestës.
Ai e ka quajtur Asociacionin një “instrument të Beogradit”.
“Pas pak, në ora 12.00, shihemi në SHESHIN ZAHIR PAJAZITI. Qytetaria është garancioni më i mirë se BKS si instrument i Beogradit – nuk kalon”, ka shkruar Ramabaja.
Gjatë ditës së sotme Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës pritet të organizojë një diskutim me përfaqësues të partive politike, OJQ, Kuvendi i Kosovës, Presidenca e shumë akterë tjerë lidhur me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
Për këtë takim është deklaruar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Në këto minuta ka filluar takim. Atje janë shefi i stafit tim dhe shefi i stafit të presidentes besoj që të pranishmit në takim do ta thonë fjalën e tyre”, ka thënë Kurti.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë ditës së sotme është pyetur se çfarë mendon për takimin që do të mbahet në Ambasadën e Amerikës në Kosovë ku do të diskutohet për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Por, përgjigja e Osmanit ka qenë e shkurtë dhe ka thënë se çdo gjë që ka të bëjë me Amerikën është e mirë.
“Gjithçka që ka të bëjë me Amerikën është e mirë, kështu e komentoj”, tha Osmani.
/Shqip.com