Lajme

Rama takohet me Rishi Sunak dhe Giorgia Melonin, në Romë

Kryeministri shqiptar Edi Rama u prit me nderime në Palazzo Chigi nga homologia italiane Giorgia Meloni dhe nga kryeministri britanik, Rishi Sunak.

Rishi Sunak, kishte mbërritur gjysmë ore më parë ashtu si dhe kryeministrja Meloni e cila u largua menjëherë nga Atreju, sapo Rama mbaroi fjalën e tij.

Më pas, ata zhvilluan një takim të tre në selinë e Këshillit të Ministrave të Italisë, në Romë.

Ka qenë kryeministrja Meloni ajo e cila ka planifikuar fillimisht një takim dypalësh me Rishi Sunak e më pas një tjetër takim tripalësh ku do të bashkohej edhe kryeministri shqiptar Edi Rama, raporton Corriere.

Pas pritjes në oborrin e nderit filloi menjëherë biseda mes të dyve. Tema e bisedimeve tripalëshe ka qenë çështja e emigrantëve.

Rama: Marrëveshja me Italinë për emigrantët nuk ka asgjë antikushtetuese

Me ftesë të kryeministres Giorgia Meloni, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ishte i ftuar në ditët e politikës, kulturës, debatit në ‘Atreju 2023’ që mbahet në Romë. Ky aktivitet zgjat 4 ditë nga 14 dhjetori në 17 dhjetor.

I ftuar në panel Rama u pyet për marrëveshjen me Italinë për emigrantët për të cilën u shpreh besimplotë se pakti mes dy shteteve nuk ka asgjë antikushtetuese dhe se vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të mësohej shumë shpejt.

“Është bërë zhurmë për një marrëveshje që është një marrëveshje normale mes dy vendeve me emra të ndryshëm por që unë i shoh si dy pjesë të të njëjtit popull. Për ne italia ka qenë gjithmonë pjesë e jona edhe kur nuk mund të vinim përtej detit.

Askush nuk duhet të frikësohet apo mrekullohet kur ne bëjmë marrëveshje që kanë qëllime dhe interesa të përbashkëta. Është gjithmonë një nder të japim një ndihmë kur Italia na kërkon dhe është gjithmonë privilegj që të njihemi si miku special i Italisë. Duhet të bëjmë gjithçka që të jemi, vendi vëlla i Italisë.”, u shpreh Rama.

/Shqip.com