Lajme

Rama: Sot kemi informata të sakta se ku janë probleme në trafik të Prishtinës

Tollovi të shumta janë shkaktuar nga prezenca e madhe e veturave – pasi komuna e Prishtinës nga e premtja për tri ditë radhazi do të vazhdojë testimin e radhës të shndërrimit të gjithë unazës qendrore të kryeqytetit në qarkore njëkahëshe për automjetet.

Për këtë kryetari, Përparim Rama ka thënë se ky testim i sotshëm për dallim të herëve të kaluara që është bërë gjatë vikendit, eshtë bërë kur ka ngarkesë.

“Kemi bërë dhe teste të mëparshme gjatë vikendit për ta testuar qendrën. Propozimet të cilat kanë ardhur si pjesë e testimeve për mobilitet, si pjesë e planit për testimin e mobilitetit ku e kemi bërë testimin të shtunën, të dielën, faktikisht kemi bërë për dy javë, ku para se të merret vendimi duhet që të testohet edhe gjatë javës. Kjo na tregon pikat e ndryshme ku janë pika që krijojnë probleme, pika që duhet të ndryshohen, me u transformuar për të krijuar një komunikim më të lirshëm për kryeqytetin, për këtë arsye normal që është dashur të testohet edhe gjatë javës.

Gjatë ditës së sotme, e premtja që shumë herë është me e ngarkuara për ta shikuar ku kemi pasur probleme më të shumta, sot kemi informata të shumta prej të gjitha pikave të kryeqytetit, jemi duke “incinzuar” edhe me dron, kemi edhe ekipe në terren duke marrë informata se si po ecë trafiku dhe ku janë problemet”, foli ai.

Ai tha se komuna tashmë ka informata të sakta se ku ka ngecje dhe për këtë ekipet do të dalin me një raport final.

“Ne duhet të bëjmë testimet përveç atyre që i kemi bërë në aspektin e kompjuterëve duhet të bëhen edhe në terren sepse kemi një numër të madh me ditur dhe nga ku po vjen trafiku, sot kemi informata të sakta se ku janë problemet prej nga po krijohen problemet në mënyrë që të kemi këtë informatë për përmirësimin e gjendjes në trafik. Kemi paralelisht dhe projekte që i kemi dhe janë më se të nevojshme të rrugës A, rruga B e ndërlidhur me rrugën A, po ashtu edhe unazës së mesme që janë pjesë të procesit për transformim të kryeqytetit…Ekipet janë në terren normal që do të vijmë me një raport final në fund të eksperimentimit”, u shpreh ai.

Po ashtu, Rama tregoi se e kishte përjetuar edhe vet trafikun dhe sipas tij nuk e kishte problem sepse ditën e nis në ora shtatë. Gjithashtu, ai tha se problem të madh kanë pasur ata që kanë punën në ora tetë sepse atëherë ka qenë kolona më e madhe.

Ndryshe, kjo është hera e tretë që është bërë një testim i tillë në Prishtinë.

/Shqip.com