Ekonomi

Rama: Rruga A, e riemëruar si Jim Xhema, po bëhet realitet

Rama: Rruga A, e riemëruar si Jim Xhema, po bëhet realitet
Rama: Rruga A, e riemëruar si Jim Xhema, po bëhet realitet

Sot do të fillojë ndërtimi i rrugës A (pjesa e parë), që është rimëruar “Xhim Xhema”. Punimet do të zgjasin 240 ditë apo tetë muaj, derisa kostoja e këtij projekti është mbi 8 milionë euro.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se sot në orën 11:00, do të fillojnë punimet për ndërtimin e rrugës A, që është rimëruar me emrin e biznesmenit të dalluar shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Xhim Xhema.

Rama e ka quajtur këtë projekt madhor dhe ka thënë se me ndërtimin e kësaj rruge do t’ju vie fundi ngarkesave të trafikut në kryeqytet, rrezikshmërisë së lartë për fëmijët dhe kundërmimit të krejt zonës.

Një ndër premtimet kyçe elektorale, ëndërr e kahmotshme e qytetarëve, rruga A, e riemëruar si Jim Xhema, po bëhet realitet! Brengave shumëvjeçare të banorëve të lagjeve përreth, ngarkesave të trafikut në #kryeqytet, rrezikshmërisë së lartë për fëmijët tanë dhe kundërmimit të krejt zonës po u vjen fundi.  Ejani ta nisim bashkë këtë projekt madhor për kryeqytetin, nesër në ⏰ orën 11:00 tek kryqëzimi i rrugës 📍Jim Xhema dhe fundi i rrugës së Veternikut”, ka shkruar Rama.

Por, sa do të kushtojë ndërtimi i kësaj rruge?

Bazuar në njoftimin për nënshkrim të kontratës që ka publikuar Komuna e Prishtinës në e-Prokurimi, vlera e përgjithshme e kontratës është 8 milionë e 497 mijë e 801 euro.

Kontratën e ka fituar grupi i operatorëve ekonomik “Sallahu SH.P.K; Altis-Construction LTD”.

Kohëzgjatja e kontratës është 240 ditë.

Tenderi është dhënë me procedurë të kufizuar, që nënkupton se secili operator ekonomik mund të kërkoj të marrë pjesë dhe ku vetëm ata operatorë ekonomik të ftuar nga autoriteti kontraktues mund të dorëzojnë një tender.

Kontrata është nënshkruar më 24 prill.

/Shqip.com