Lajme

Rama: Qeveria i ka bllokuar 28.8 milionë € të parapara për 172 projekte kapitale 

Përparim Rama, kryetar i Prishtinës
Përparim Rama, kryetar i Prishtinës

Komuna e Prishtinës në muajin prill kishte kërkuar nga Ministria e Financave që të mos bllokojë dhe urgjentisht të bëjë bartjen e të hyrave vetanake të Prishtinës dhe të komunave, në pajtim me Kushtetutën dhe legjislacionin përkatës për vetëqeverisje lokale.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se janë 28.8 milionë euro të parapara për 172 projekte kapitale të Kryeqytetit për këtë vit të cilat Qeveria po ua bllokon.

Ai gjatë emisionit Debat Plus, ka thënë se është duke u vërejtur një bojkotim apo sabotim nga ana e Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti.

Sipas tij, Ministria e Financave ka luajtur me një ligj dhe po përpiqet të ndalojë 28.8 milionë euro.

Unë vazhdoj me thënë edhe dua të besoj që jo, por normal që po vërehet, tash veç kjo tendencat e 28.8 milionëve të cilat janë para vetanake të kryeqytetit me u ndal mosardhja e tyre, kemi hyrë në maj, ne i kemi 172 projekte të ndërlidhura me pikërisht këto fonde, dhe ne jemi akoma duek i lutur me i bë ato bartje, ndërsa Ministria e Financave kanë luajtur aty me një ligj, edhe  mundohen me i ndalë 28.8 milionë. Po shpresoj që është një gabim teknik edhe kanë me i leju këto edhe ne vazhdojmë punën”, ka deklaruar ai.

Ai i ka bërë thirrje Qeverisë që të mos i politizojë gjërat kur janë në pyetje projektet kapitale.

Po ashtu, ai ka kërkuar bashkëpunim edhe nga Ministria e Financave, pasi sipas tij, Komuna e Prishtinës ka shumë bashkëpunime dhe projekte të përbashkëta me ministritë tjera.

Nuk ka arsye për askënd me i politizu këto gjëra, nuk duhet me i politizu projektet e kryeqytetit. Pra duhet që së bashku niveli lokal, niveli qendror të punojmë së bashku për të mirën e këtij vendi. Pa marrë parasysh partive politike apo egove të politikanëve e të tjera. Përkundër faktit që unë jam këtu për kryeqytetin, për qytetarët e Prishtinës, dhe po kemi këso probleme që nuk ishte dashur t’i kemi. Edhe po them edhe një herë që po iu lutem Ministrisë së Financave sepse kemi bashkëpunim me shumë ministri tjera e projekte të përbashkëta. Mirëpo po them mos ta bojkotojmë apo sabotojmë procesin e zhvillimit te kryeqytetit”, ka deklaruar tutje Rama në Debat Plus.

/Shqip.com