Lajme

Rama propozon që në nëntor të mbahet Kuvend i përbashkët Shqipëri-Kosovë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në hapje të mbledhjes së përbashkët Kosovë-Shqipëri, pati një falënderim të veçantë për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Ndonëse shpeshherë është folur për raportet jo shumë të mira mes të dy kryeministrave, Rama tha se është kënaqësi e veçantë sa herë që takohet me Kurtin.

“E falënderoj në veçanti Albinin, dhe është një kënaqësi e veçantë edhe pse pak kush e beson që kur e them që kur ne takohemi kemi një sinergji të plotë dhe qeshim jo pak”, tha Rama.

Rama i propozoi Kurtit që në nëntor të kenë një Kuvend të Përbashkët për nderë të 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Mbledhja e qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë

Rama, po ashtu foli edhe për çështjen e bizneseve.

Ai tha se 1225 biznese kosovare aktualisht operojnë në Shqipëri, e 1081 prej tyre janë në pronësi të plotë të kosovarëve.

Rama theksoi të hënën se investimet e Kosovës në Shqipëri në vitin 2017 ishin 9 milionë, e në 2021-n 139 milionë. Sipas tij, kjo shifër është domethënëse, e mundësitë për rritjen e investimeve janë të dukshme.

“Besoj se kemi mundësinë të rrisim dhe shtojmë volumin e investimeve reciprokisht. Ndërkohë dua t’ua kujtoj ministrave të brendshëm që kemi një protokoll të nënshkruar në Morinë që shërben si udhëzues për kalimin praktik të kufirit. Besoj se kryeministri është dakord që në këtë sezon është e palejueshme të kemi probleme të natyrës që kemi pasur deri vjet Radhë të pafundme për shkak të kontrolleve një për një të makinave që vijnë drejt Shqiperisë”, tha Rama.

Kreu i Shqipërisë potencoi se projekti për abetaren e përbashkët e ka përfunduar fazën e parë.

“Puna për fazë të dytë vazhdon. Jam i lumtur që me Albinin të dorëzojmë abetaret e unifikuara, ndërkohë që kemi folur me përfaqësuesit e popullsisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, me kryeministrit e Malit të Z, edhe me ata në Serbi, që kjo abetare të shkojë te të gjithë shqiptarë. Po edhe në zonën e diasporës, që të ketë një shpërndarje të abetares kudo që kërkohet”, tha Rama.

Theksojmë se përveç Kurtit e Ramës, të pranishëm janë edhe ministriat e dy qeverive./Shqip.com