Lajme

Rama përmend Kosovën në OKB: 20 mijë gra u dhunuan mizorisht

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka mbajtur një fjalim në mbledhjen e parë të Këshillit të Sigurimit të OKB, në Nju Jork ku foli për viktimat në Sebrenicë dhe 20 mijë gra të dhunuara gjatë viteve 98-99 në Kosovë.

Edi Rama tha se bota iu detyrohet me vepra dhe jo fjalë viktimave të spastrimit etnik.

“Kolegë, na duhet të dëshmojmë vepra e jo vetëm fjalë. Ne duhet të themi sot më shumë se kurrë, kurrë më. I detyrohemi me vepra e jo me fjalë mijëra viktimave në Serbrenicë. Të gjithë atyre që kanë vuajtur masakra e krime kundër njerëzimit, 20 mijë grave të dhunuara gjatë spastrimit etnik në Kosovë, në 98-99”, tha Edi Rama.

Rama tha se duhet të ndihemi të dëshpruar për mungesen e progresit, për mungesën e realizimit dhe shkelësit që veprojnë të lirë.

“Ndërkohë që flasim dhe theksojmë nevojën për të zbatuar normat e përbashkëta, të gjithë jemi të vetëdijshëm që jemi në një stres të jashtëzakonshëm. Ne, mund të ndihemi në fakt edhe të dëshpëruar për mungesën e progresit, për mungesën e realizimit, dhe shkelësit që veprojnë të lirë”, tha Rama.

Sipas Ramës, konflikti 11 vjeçar në Siri i sjell ndërmend mizorin dhe përveç kësaj edhe agresionin rus ndaj Ukrainës.

“Kemi parë sesi minohen shtete të tëra. Rasti i konfliktit 11 vjeçar të Sirisë është tragjik. Duke dështuar të vëmë para përgjegjësisë regjimin sirian, kemi inkurajuar mizori diku tjetër. Por mostrajtimi i mizorive nuk duhet të jetë arsye për të mos vepruar. Kjo më sjell ndërmend agresionin në Ukrainë”.

Ai ka thënë se Shqipëria do të jetë në ballë të përpjekjeve për të vënë në vend drejtësinë.

“Një luftë e paprovokuar, e padrejtë, e paligjshme ka sfiduar ekonominë europane. Krime të tmerrshme që kryhen e zbulohen përditë. Kjo kërkon vënien para përgjegjësisë. Shqipëria do të jetë në ballë të përpjekjeve për të vënë në vend drejtësi”, tha Rama.

Tutje ai ka thënë që nuk duhët të lejohet që shkeljet të bëhen norma dhe se pandeshkueshmeria duhet të mbetet në histori./Shqip.com