Lajme

Rama për raportin e parë të punës: Kam punuar ngjeshur, ky është vetëm fillimi

Përparim Rama, kryetar i Komunës së Prishtinës

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se që nga dita kur e ka marr mandatin ka punuar “ngjeshur”, dhe sipas tij ky është vetëm fillimi.

Rama ka publikuar raportin e tij të punës nga 7 dhjetori 2021 deri më 31 mars 2022,

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë raportin e punës së tij nga 7 dhjetori i vitit të kaluar deri më 31 mars 2022. Në këtë raport, ai thotë se punuan “ngjeshur” derisa shton se ky është vetëm fillimi.

“Sot, mund të shpallim se shumë nga projektet e premtuara gjatë fushatës, i kemi vënë në binarët e duhur. Siç do ta shihni në Raportin e parë të punës, projekte nga të gjitha llojet e sektorëve: urbane, infrastrukturore, brendapërbrenda dhe rretheqark; shëndetësore, në këto kohë sfiduese; restauruese, në linjë me vizionin tonë për Prishtinën e përjetimeve; mjedisore, për hapësira të reja të gjelbëruara; bujqësore, për ujitjen e tokave të mbjella; zhvillim rural, rekreative, për më shumë ndërveprim sportiv. Këto të mësipërmet janë veç disa nga nismat e deritashme dhe të gjitha vetëm nga “ana e dukshme e medaljes’”, ka thënë Rama.

Kreu i Prishtinës, Përparim Rama

Kryetari i Prishtinës është shprehur se që i gjithë kabineti zotërojë njohje të mirëfilltë të legjislacionit në fuqi (primar e sekondar) në fushën e vetëqeverisjes lokale.

Sipas tij Kryeqyteti, ndryshe nga çdo komunë tjetër, me Ligjin për Kryeqytetin gëzon status të veçantë, që përkthehet në kompetenca, por edhe në përgjegjësi të shtuara dhe tha se ky realitet përkon me ambicien e tyre.

“Ne duam ta shtrijmë, deri në nivele kapilare, brenda dhe jashtë organit tonë vetëqeverisës, mendësinë e re – atë të Institucionit të Kryeqytetit të Republikës së Kosovës. Partneritetet e panumërta, që gjatë këtyre ditëve i zyrtarizuam me përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, me ambasadorë të huaj, me ministra e titullarë të tjerë të pushtetit qendror, si dhe akterë të tjerë ndërkombëtarë e vendorë, po i konkretizojmë, gjithmonë duke i gjetur pikëtakimet me palën ndërvepruese, pikërisht drejt vizionit tonë transformues për Kryeqytetin e Prishtinës”, ka thënë Kreu i Prishtinës./Shqip.com