Lajme

Rama për protestën e PD-së: Shfaqje mesjetare, Berisha dhe Basha janë e njëjta mbetje

Kreu i Qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbajtur një bashkëbisedim me përkrahësit e Partisë Demokratike, një ditë pas protestës në selinë e kësaj partie.

Gjatë bisedës live në rrjetin social, Facebook, Rama protestën e demokratëve e konsideroi si ngjarje ekstreme të pandodhur më parë. Ai tha se kjo formë e protestës jo vetëm që dobëson kundërshtarin, por është një goditje për institucionet demokratike në vend.

“Ndodhia e djeshme shumë e rëndë për demokratët por edhe për të gjithë shqiptarët dhe Shqipërinë. 3-4 miq të huaj më kanë marrë të më pyesin të habitur; a është e vërtetë që është sulmuar selia e opozitës nga mbështetësit e saj se lajmi mori dhenë, një lajm absurd. E dobëson kundërshtarin politik por godet vendin shoqërinë dhe ngrehinë e kulturës politike që për të gjitha arsyet që dimë përbën një problem kjo kulturë që dje ka marrë një goditje të tmerrshme. Kjo shkon përtej dobësimit të kundërshtarit politik, që nuk dëmton vetën PD, por ngrehinën institucionale të këtij vendi, institucionin e opozitës dhe të gjithë kornizën institucionale të vendit”, tha Rama.

Protesta në Tiranë.

Më tej, kryeministri Rama tha se Sali Berisha dhe Lulzim Basha “janë pa vizion ardhmërie, pa projekt politik përveç akuzave se kush nga të dy është shërbëtori im”, tha Rama.

“Por ajo që përbën të vërtetën është që këta të dy janë e njëjta mbetje e ndarë përgjysmë, një mbetje e pariciklueshme në funksion të së ardhmes. Ndërmora këtë hap që të flas me demokratët dhe nuk janë këta të dy, në sytë e mi jo si kundërshtar, as si kryetar i shumicës qeverisëse, por si dikush që ka ndjekur historinë politike të këtij vendi këta të dy janë njëri i ndarë në dy pasqyra”, tha më tej Rama.

Shefi i qeverisë, ndër tjerash shtoi se vendi ka nevojë për paqe dhe urtësi. Ndërsa protesta e mbajtur më 9 janar, shpërfaqi kohën e mesjetës.

“Historia  e zhvillimeve të PD është e të dyve së bashku për sa kohë që i dyti është futur në skenë nga i pari si hija e tij. Për mua sot është nevoja për paqe e urtësi në këtë moment delikat  për ngrehinën e institucionit demokrat. Dje shfaqje mesjetare”, përfundon Rama./Shqip.com