Lajme

Rama për projektin e ndërtimit të liqenit në Prishtinë: Prej atij momenti më njohën të gjithë

Kryetari i ri i Prishtinës, Përparim Rama

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, tha se pas deklaratës së tij rreth ndërtimit të një liqeni në vend të stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë, e kanë njohur të gjithë, përcjell Shqip.com.

Sipas tij, barcoletat në rrjetet sociale rreth kësaj deklarate janë të mira sepse thotë se qytetarët duhet stimuluar “që të mendojnë jashtë kornizës”.

“Intimisht, ata që e kanë përqeshur këtë ide për mua ka qenë fantastike, sepse deri në atë moment më kanë njohur 50 për qind e qytetit, ndërsa prej atij momenti më njohën 100 për qind e qytetit, pra, unë e arrita timen”, është shprehur Rama në emisionin “Oxygen” në Klan Kosova.

Po ashtu, teksa foli për projektin, Rama tha se ai nuk do të ndodh në katër vitet e ardhshme sepse nuk e kanë atë në program.

“Projekti i stadiumit nuk do të ndodh në katër vitet e ardhshme, sepse nuk e kemi në program, por kjo mund të ndodh në të ardhmen nëse ne si shoqëri vendosim që na duhet ai projekt”, shtoi Rama./SHQIP.com