Lajme

Rama: Nëse kemi mundësi do ta ndihmojmë sërish Kosovën me energji

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama në takim me përfaqësuesit e bizneseve

Ndihma që Shqipëria i dha Kosovës në natën e ndërrimit të moteve, duke e furnizuar me energji elektrike për dy ditë pasi kjo e fundit po përballet me krizë energjetike, mund të mos jetë e fundit.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka thënë se është në rishikim të mundësive dhe nëse është e mundur do ta ndihmojë sërish Kosovën.

“Kosova është në një situatë kritike që lidhet edhe me një trashëgimi të vështirë të një sistemi jashtëzakonisht problematik të prodhimit, garantimit të energjisë e kështu me radhë, ne kemi dhënë ndihmën tonë për Kosovën”.

“Më vjen mirë që mundëm ta ndihmojmë përsëri pasi patëm një ndërprerje për disa ditë për pamundësinë tonë, por sidoqoftë u rikthyem për të dhënë ndihmën tonë për ditët që ndanin vitet, do të shikojmë në vijim çdo rast dhe sido që të jetë mundësia, sado e vogël ne përsëri do të japim ndihmën tonë për Kosovën”, është shprehur Rama.

Mes tjerash, ka thënë se fakti që kriza energjetike nuk ndjehet në Shqipëri nuk do të thotë se nuk ka krizë, por është dëshmi se Shqipëria është duke ia dalë në këtë përballje.

“Kriza energjetike është një fakt për të gjithë. Natyrisht, vende të ndryshme po e përballojnë në mënyra të ndryshme”.

“Fakti që në Shqipëri, kriza energjetike nuk po ndihet në familje, nuk po ndihet në biznese, nuk do të thotë që Shqipëria nuk po përballet me një krizë energjetike, përkundrazi, do të thotë që Shqipëria po ia del të përballë krizën energjetike, pa e lënë atë të rrëshqasë në kurriz të konsumatorëve familjarë apo të bizneseve, pasi qeveria u është bërë atyre mburojë sikundër jemi zotuar”.

“Por ama, kjo është një përballje e përditshme, është një përballje që ka kosto, se nuk është një përballje trup me trup, e natyrisht që krizës energjetike nuk mund t’i vëmë një bravë apo t’i ndryshojmë çelësin. Duhet ta përballim”, është shprehur kryeministri Rama./SHQIP.com