Lajme

Rama në Samitin e Klimës: Vendet e vogla vuajnë pasojat e ndotësve të mëdhenj

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, beson se vendet e vogla po vuajnë nga ndotja e planetit të cilën po e shkaktojnë vendet e mëdha.

Këto komente, kreu i ekzekutivit shqiptar i bëri gjatë ngjarjes në Glasgou të Skocisë, ku po diskutohet e do të vendoset për masat e luftimit të ndryshimeve klimatike.

Lexo edhe:
Ministria e Drejtësisë thotë se do t’i ulë tarifat e përmbaruesve privat

Meqenëse, sipas Ramës “shtetet e mëdha po shkaktojnë më shumë ndotje ambienti”, beson se këto vende duhet të iu ndihmojnë shteteve më të vogla.

“Ndoshta jam më i gjati këtu, por vij nga një prej vendeve më të vogla, Shqipëria. Në mbledhje të tilla ne na thonë se çfarë të bëjmë, të dëgjojmë e të mbajmë shënim”.

COP 26

“Por ende nuk mora përgjigje për pyetjen që kisha para se të vija këtu.  Si kanë ndërmend të na ndihmojnë ndotësit e mëdhenj neve, një vend jondotës. Po, po, një vend jondotës”, tha Rama.

“Prodhimi ynë i energjisë bazohet 100% në energji hidrike, 100% të rinovueshme. Mund t’i kishim pranuar të gjitha ofertat për termocentrale për të kompensuar nevojat në muajt e thatësirës. Kështu që vendi im pyet, mos po paguajmë për shkak se po bëjmë gjënë e duhur”.

“Besoj se do të marrim financime për të luftuar këtë ngërç. Këto financime nuk duhet të vijnë në formën e huave, që do të na fusin në një spirale borxhesh, por në formën e granteve, që do të na fuqizojnë për të investuar”. /Shqip.com