Lajme

Rama në Asamblenë e OKB-së bën thirrje për njohjen e Kosovës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara i ka bërë thirrje Serbisë të njoh pavaresinë e Kosovës.

Ai këtë e ka kërkuar edhe nga vendet që nuk e kanë bërë ende.

“Shqipëria nuk do lëvizë asnjë centimetër nga qëndrimi për njohje të pavarësisë së Kosovës, nga të gjitha ato vende që ende nuk e kanë bërë, përfshirë Serbinë. Tani është koha për Kosovën dhe Serbinë të punojnë në dialog për një marrëveshje gjithëpërfshirëse”.

Rama, po ashtu ka folur edhe për raportin e Dick Marty-t, ku tha se është një trill dhe fantazi.

Ai ka thënë ky raport është një nga rastet më të rënda të manifestuar kundër Pavarësisë së Kosovës.

“Në 2011, u soll raporti i Dick Marty ku akuzohej ushtria e Kosovës për trafikimin e organeve, duhet të ishte paguar si tregimtar, por jo si raportues i Këshillit të Europës. Jo vetëm që shumë i besuan, po u shndërruan në faktorë kyç për ngritjen e dhomave të specializuara dhe u bë një nga rastet më të rënda të manifesti kundër pavarësisë së Kosovës”.

Ashtu sikurse e kishte bërë me dije, Rama sot i kërkoi kësaj organizate, që të pranojë kërkesën e Shqipërisë për të paraqitur një raport të ri, që kundërshton me prova dhe me fakte raportin e Dick Marty, që sipas tij ka nxirë qëllimisht UÇK-ja, por edhe vetë historinë e Kosovës.

Rama përmendi që edhe në aktakuzën e Thaçit asnjë fjalë s’ka të bëjë me atë që ka pretenduar Marty.

“Asnjë grimë prove apo treguesi nuk u gjet askund në Kosovë dhe asnjë vend tjetër, e megjithatë, dhomat e specializuara kanë arrestuar pa padi Hashim Thaçin, ai priti një vit në burgim deri sa u akuzua zyrtarisht, imagjinojeni njëherë, presidenti juaj, që merret nga zyra çohet në një vend të tretë që mbahet i ndaluar për një vit të tërë pa asnjë akuzë zyrtare, as edhe një fjalë e vetme e aktakuzës nuk ka të bëjë me raportin e Këshillit të Europës, për krimin e pretenduar të trafikimit, një fantazi e tërë, dështim monumental në nivel ndërkombëtar, njollosje e një vendi.

Ne mendojmë që Asambleja do të nevojë të vërtetën dhe do të pranojë kërkesën e Shqipërisë për të pasur një raport vijues, ndërkohë që dëmi është bërë dhe të ndihmojë të rivendosë besueshmërinë enjë organizatë kaq të rëndësishme”, tha Rama.

Tutje, Rama gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, i bëri thirrje Asamblesë së Kombeve të Bashkuara që të përqendrojë vëmendjen te siguria kibernetike për të parandaluar sulmet, ndërsa përmendi edhe rastin e sulmit nga Irani ndaj Shqipërisë në korrik./SHQIP.com