Lajme

Rama merr Raportin e Progresit: KE konfirmon bindjen se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, theksoi se Komisioni Evropian ka konfirmuar bindjen e vet se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet për të nisur diskutimin e anëtarësimit me Bashkimin Evropian, transmeton Shqip.com.

Kështu u shpreh ai në një konferencë për media pasi mori nga ambasadori i BE-së, Luigi Soreca këtë të mërkurë Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për ecurinë në rrugën e integrimit.

Rama theksoi se komisioni konfirmon bindjen e vetë se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet. Ai u shpreh se raporti e vulos objektivisht se Shqipëria vjen nga një proces zgjedhor i padiskutueshëm në pikëpamje të përputhjes me standardet e OSBE-së dhe se Shqipëria ka vazhduar të përparojë në reformat kyçe.

“Është shumë e rëndësishme që ta kuptojmë që përtej vetë anëtarësimit, ky është një proces i brendshëm, i domosdoshëm, për të pasur këtu një shtet që funksionon me të gjitha normal, me të gjitha standardet”, tha paraprakisht ai.

“Raporti që marrim sot është një tjetër në një vazhdë të disa të tjerëve tanimë, ku Komisioni konfirmon bindjen e vet se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet për të nisur edhe formalisht atë që është vendosur më parë në Këshillin Europian dhe për të ndërmarrë së bashku me BE diskutimin e anëtarësimit”, tha Rama.

“Raporti e vulos objektivisht se Shqipëria vjen nga një proces zgjedhor i padiskutueshëm në pikëpamje të përputhjes me standardet e OSEB, se Shqipëria ka vazhduar të përparojë në reformat kyçe”, tha Rama. /Shqip.com