Lajme

Rama kujton vendosjen e NATO-s në Kosovë: Është dita për ta nxjerrë Kosovën nga qorrsokaku

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kujtoi sot vendosjen e NATO-s në Kosovë në 12 qershor 1999, ndërsa u shpreh se “sot është dita për të reflektuar thellë e për ta nxjerrë Kosovën nga qorrsokaku ku e ka futur grindja absurde me aleatët”.

Rama u shpreh se “pa aleatët strategjikë të shqiptarëve, miq të mirë në ditët më të këqija, s’do të kishte as Republikë të Kosovës, as liri e demokraci për shqiptarët në Kosovë”.

“Si sot e gati çerek shekulli më parë, hyrja e NATO-s në Kosovë u rikujton të gjithëve, se pa aleatët strategjikë të shqiptarëve, miq të mirë në ditët më të këqija, s’do të kishte as Republikë të Kosovës, as liri e demokraci për shqiptarët në Kosovë! Zoti i bekoftë aleatët tanë!”, shkruan Rama në Twitter.

Prandaj, vijoi ai, “bash sot është dita për të reflektuar thellë e për ta nxjerrë Kosovën nga qorrsokaku ku e ka futur grindja absurde me aleatët”.

“Kosova duhet të dalë patjetër prej qorrsokakut me dialog jo me policë, me ide konkrete jo me propagandë, me miq të mirë jo me keqtrajtim të miqve”, u shpreh Rama.

/Shqip.com