Lajme

Rama: Kosova duhet të anëtarësohet në NATO

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se Kosova duhet të ndihmohet që të përshpejtojë integrimin e saj në NATO.

Në konferencën e mbajtur në Shkup, pas takimit të udheheqësve të shteteve të Ballkanit që janë anëtare te NATO-s, ai falënderoi presidentin kroat që i ka bërë jehonë këtij qëndrimi në çdo tryezë të përbashkët të NATO-s, ndërsa theksoi se është absurde që Kosova të pengohet në këtë proces, ndërkohë që gjithë NATO është jo vetëm më e vëmendshme ndaj Kosovës, por më e angazhuar gjithashtu.

“Kahja euroatlantike e Kosovës është jashtë çdo diskutimi, ndërsa hezitimi për ta njohur nga vendet e BE-së dhe NATO-s janë jehonë e një të shkuare që është gjithnjë e më pak relevante me të tashmen që ka sjellë sfida dhe kërkon më tepër unitet dhe vështrim strategjik,” – u shpreh Rama.

Kryeministri tha se është e padiskutueshme që paqja mes Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet vetëm përmes dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

Pas takimit të mbajtur ku ishte i pranishëm edhe Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg, Rama foli sërish për ngjarjen në Banskë, ku tha se ai sulm është paralajmërim dhe jo ngjarje sporadike, andaj sipas tij është e domosdoshme rritja e numrit të forcave të NATO-s në Kosovë dhe po ashtu e domosdoshme është garantimi i kufirit mes Kosovës dhe Serbisë.

“Dëshiroj të theksoj se jam i keqardhur për faktin që pavarësisht thirrjeve të përsëritura për të shtuar në mënyrë të ndjeshme jo vetëm vëmendjen, por edhe trupat, të cilat duhet të garantojnë stabilitet dhe paprekshmëri absolute të Kosovës, ka ndodhur një ngjarje tragjike, e cila duhet konsideruar një paralajmërim dhe jo një ngjarje sporadike dhe e cila duhet me çdo kusht të mos përsëritet. Theksova dhe sot në takim domosdoshmërinë e rritjes së numrit të forcave të NATO-s në Kosovë dhe domosdoshmërinë për të garantuar kufirin mes Kosovës dhe Serbisë që faktikisht është jashtë kontrollit dhe i cili është në shërbim të aktiviteteve ilegale të trafikut të armëve, të trafikut të drogës, të aktiviteteve të cilat pastaj ngatërrohen siç e dimë të gjithë edhe me aktivitetin politik me sfond ultranacionalist që shkakton devijime të rënda, siç ishte devijimi në Banjskë ku humbi jetën në krye të detyrës një punonjës i Policisë së Kosovës dhe doli në pah rrezikshmëria e lartë për destabilizim dhe përshkallëzim të një konflikti që siç e tha Sekretari i Përgjithshëm ka vetëm një vend për t’u trajtuar, në tryezën e dialogut të ndërmjetësuar nga BE mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Rama.

Kryeministri shqiptar ka kërkuar që të procedohet me kërkesën për bashkëfinancim për bazën e re detare të NATO-s në Porto Romano dhe se me këtë investim, NATO do të fitojë një tjetër akses në Evropën Juglindore.

Kryeministri konfirmoi pozicionin e Shqipërisë si një anëtare e përgjegjshme e Aleancës së Atlantikur, si dhe theksoi se do të vijojë të angazhohet për përforcimin e kapaciteteve.

“Dëshiroj të theksoj kërkesën që aplikimi i Shqipërisë për të bashkë financuar me NATO-n bazën e re detare të NATOS në Porto Romano, të procedohet sa më shpejt sepse ne besojmë shumë se çdo gjë që ndodh hap pas hapi e përforcon vlerën strategjike të një investimi të tillë, jo vetëm për Shqipërinë e rajonin, por edhe për vetë NATO-n, e cila do të fitojë një tjetër akses të shpejt në këtë anë të Evropës për çdo rast. Shqipëria ka përmbushur me buxhetin e vitit 2024 edhe objektivin e financimit të mbrojtjes me 2 përqind siç është shtruar nga tryeza e NATO-s për gjithë vendet anëtare dhe ne do vazhdojmë të jemi shumë të angazhuar për të përforcuar kapacitet tona dhe për të rritur eficencën e forcave tona të armatosur. Mbetemi në frontin e përgjithshëm të NATO-s një anëtar i përgjegjshëm dhe i palëkundur në të gjitha sfidat e përbashkëta.”, tha ai.

/Shqip.com