Kulturë

Rama: Kadare i ka ngritur monumentin gjuhës shqipe

Ismail Kadare, Shkrimtar
Ismail Kadare, Shkrimtar

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, uroi sot shkrimtarin e madh Ismail Kadare në 87-vjetorin e lindjes.

Kryeministri krahas urimit për ditëlindje i shprehu mirënjohje shkrimtarit “për monumentin fantastik që i ka ngritur gjuhës shqipe”, siç e quajti ai.

Rama ndau vargje të poetit rus Vladimir Majakovskin, të shqipëruara prej vetë Kadaresë si urim të tij.

“Duke shkruar për të këtë urim, më erdhi në mend se sa shumë njerëz kanë marrë penën që të bëjnë libra, dizertacione, mastera, doktoratura, referate, artikuj, shkrime, jetëshkrime e shkarrashkrime, me ditirambe, vlerësime e deri edhe ofendime, për librat e tij e për të vetë dhe se sa pak gjasë ka, që vargmalet e letrave të tyre të kenë një fat më të mirë se sa kështjellat e rërës, që kalamajtë ngrenë buzë detit, duke parafytyruar heronjtë e përrallave e të balladave apo bajlozët e gogolët e kërcënimeve të dëgjuara përpara gjumit”, nis shënimin Kryeministri Rama.

“Dhe me këtë mendim po e le këtë shënim (që të njëjtin fat me ato kështjella do të ketë) me një falënderim të thjeshtë, pa pretenduar asgjë më shumë se sa shprehjen e mirënjohjes së madhe ndaj Ismailit për monumentin fantastik që i ka ngritur gjuhës shqipe, duke ma bërë edhe më të madhe dashurinë për këtë gjuhë të hatashme, të cilën ne shqiptarët kemi fatin të flasim e të shkruajmë si gjuhë amtare; për kënaqësinë e jashtëzakonshme të udhëtimeve në botën e ngjarjeve, personazheve, emocioneve që ai ka jetësuar me lehtësinë e një magjistari, nxjerrë në dritë fuqinë e një ekzorcisti dhe magazinuar me saktësinë e një gjirokastriti; për hidhërimet që u ka shkaktuar mediokërve e për buzëplasjen që u ka provokuar xhelozëve me suksesin e tij jehues në dhjetëra gjuhë të kësaj bote, e patjetër edhe për debatin e pambarimtë mes barrikadave, ku janë rreshtuar përballë tash 30 vjet, admiruesit e shkrimtarit dhe gjykatësit e qytetarit a thjesht njeriut Ismail Kadare – ku unë vetë kam mësuar e kuptuar jo pak me kalimin e viteve…

Ah, krejt personale kjo, po edhe për Vladimir Majakovskin, gjeniun vullkanik të poezisë ruse, që po të mos ekzistonte Ismail Kadareja nuk do ta kisha njohur kurrën e kurrës dot, në një prej takimeve më të mahnitshme të jetës sime me letërsinë!”, u shpreh ai.

“Po ndalem këtu dhe duke uruar sot bashkë me ditëlindjen e tij edhe që gojëdhëna se Ismaili nuk shkruan më, të jetë vetëm një lojë e tij e radhës me personazhet e jetës reale, ku ai gjithnjë ka qenë si një i huaj me prejardhje e me pasaportë shqiptare, fjalën e fundit të këtij urimi ia le Majakovksit të shqipëruar prej Kadaresë”, përfundoi Rama duke sjellë dhe vargjet:

“Mendimin tuaj,
që ëndërron në trurin e butë,
si lakeu i dhjamur në kanapenë me zdral,
do ta tall me zhelen e përgjakur të zemrës;
gjersa të ngopem, idhnak e brutal”.

(er 2021)

Lexo edhe:
Shkrimtari Ismail Kadare feston 87-vjetorin e lindjes

Ismail Kadare feston sot 87 vite jetë. Kadare ka qenë disa herë kandidat për çmimin “Nobel” në letërsi, sakaq ka fituar dekoratën më të lartë franceze, si ‘Komandant i Legjionit të Nderit’, shkruan atsh.

Ai është një nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë shqipe dhe gjithashtu një nga shkrimtarët më të njohur të letërsisë botërore bashkëkohore. Me veprën e tij, që ka shënuar një numër rekord të përkthimeve në mbi 45 gjuhë të huaja, ai e ka bërë të njohur Shqipërinë në botë, me historinë dhe kulturën e saj shekullore.

/Shqip.com