Lajme

Rama: Jam siguruar që deri nesër të rregullohet çështja e ngrohjes

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se ka marrë siguri se çështja e ngrohjes në kryeqytet do të rregullohet deri nesër.

Duke ju kërkuar qytetarëve për mirëkuptim, i ka siguruar ata se “Komuna e Prishtinës po e trajton këtë çështje me seriozitet”.

Ka premtuar se do të ndërmarrin të gjithë hapat e nevojshëm që varen nga komuna.

“Me shqetësim kam marrë informatën për ndërprerjen e ngrohjes për qytetarët e Prishtinës, të cilët kanë qasje në ngrohjen termike të Termokosit. Jam në komunikim të vazhdueshëm me institucionet për situatën e krijuar”.

“Ndërprerja e ngrohjes qendrore në Prishtinë, ka ardhur si pasojë e avarive në njësinë B1 të KEK-ut. Kam marrë siguri se kjo çështje do të rregullohet deri nesër”, ka shkruar Rama në Facebook.

Ilustrim

Korporata Energjetike e Kosovës gjatë ditës ka njoftuar se deri të enjten e 16 dhjetorit nuk do të krijohen kushtet për furnizimin e Termokosit me avull për ngrohje qendrore.

Ky njoftim i KEK-ut erdhi pasi Ndërmarrja Publike “Termokos” njoftoi se ka ndërprerë furnizimin me ngrohje për të gjithë konsumatorët “për shkak të pamundësisë për t’u furnizuar me avull nga KEK-u”.