Rama i përgjigjet Vitisë: Garo me plane konkrete, jo me hajgare

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, i ka thënë Arben Vitisë që të garojë me plane konkrete e jo me hajgare.
Kjo deklaratë e tij erdhi pasi të martën Arben Vitia ka ironizuar me kandidatin e LDK-së për kryetar të kryeqytetit.
“Do ta rrënojmë Pallatin e Rinisë, do ta rrënojmë stadiumin”, këtë Vitia s’mund ta mbarojë deri në fund dhe fillojë të buzëqeshë me të madhe.
Rama gjatë një konference për media ka thënë se çështje e kryeqytetit është serioze dhe duhet të merret si e tillë.

“Fatkeqësisht jeni duke parë nga kundërkandidati copëza të kopjuara prej projektit tonë e të kthyera në video të shtrenjta për të mashtruar qytetarët”.
“Flet për një fushë të gjelbëruar pa përkrahje infrastrukturore, duke zhdukur edhe një prej parkingjeve kyçe të qytetit. Një ndeshje futbolli për shembull do të krijonte kaos në këtë zone”.
“Kjo dëshmon edhe njëherë që pushteti aktual i cili deri më tani as nuk veproi e as nuk përëmendi parkun qendror, u kujtua për këtë vetëm pasi u prezantua nga ne. Kjo tregon se kundërkandidati im jo veç që nuk ka një plan konkret për kryeqytetin nuk do të ishte i aftë për ta realizuar. Kjo pjesë e qytetit kërkon një plan serioz që ne e kemi prezantuar muaj më parë”. /Shqip.com