Lajme

Rama i bën thirrje Serbisë që të mos nxitë grupe të caktuara në veri

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i ka bërë thirrje autoriteteve në Beograd që të mos ushqej grupe të caktuara në veri të Kosovës që t’i kundërvihen zbatimit të marrëveshjes.

Siç raporton Abc News, përmes një konferencë për media, Rama tha se e përshëndesin shtyrjen me 30 ditë të zbatimit të vendimit për reciprocitetin me targa dhe dokumente hyrësë/dalëse me Serbinë.

Ne e përshëndesim shtyrjen me 30 ditë të zbatimit të kësaj marrëveshje. I bëj thirrje autoriteteve në Beograd që të mos ushqejnë me asnjëlloj justifikimi apo alibie grupe të caktuara në veri të Kosovës që për arsyet e tyre i kundërvihen zbatimit të një marrëveshjeje”, tha Rama.

“Kemi folur për Kosovën, dihet që Spanja ka një pozicion të ndryshëm për arsye qe lidhen me vetë Spanjën dhe nuk kanë të bëjnë me asnjëlloj diskriminimi apo paragjykimi ndaj bashkësisë së shqiptarëve në Kosovë dhe ndaj së drejtës së tyre”, tha Rama.

Pamje nga veriu i vendit

Tutje Rama tha se përshkallëzimi i situatës së mbrëmshme në veri ka ndodhur pa arsyeje.

“Por ne kemi diskutuar aq më tepër në kuadrin e një situate që mbrëmë vonë ka pasur një përshkallëzim krejtësisht të paarsyeshëm, pasi qeveria e Kosovës ka të drejtën dhe detyrën që të zbatojë marrëveshjet duke ushtruar sovranitetin territorial që buron nga një pavarësi në administrimin e shtetit dhe marrëveshjet e dakorduara me palën tjetër janë marrëveshje për t’u zbatuar”.

Barrikadat janë vënë më 31 korrik nga serbët lokalë të Kosovës, si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të 29 qershorit të Qeverisë së Kosovës për targat e makinave që lëshojnë autoritetet e Serbisë me akronimet e qyteteve të Kosovës dhe dokumentet për hyrje/dalje për qytetarët serbë kur të hyjnë në njërën nga pikat kufitare në Kosovë.

Qeveria e Kosovës, me kërkesë të SHBA-së dhe BE-së ka shtyrë zbatimin e vendimeve – që ishin planifikuar të zbatoheshin nga 1 gushti – duke thënë se dënon ashpër bllokimin e rrugës në veri të Kosovës.

 Qeveria pati vendosur që më 1 gusht do të niste lëshimi i të ashtuquajturave dokumente për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë.

Ky dokument do të lëshohej në të gjitha pikëkalimet tokësore dhe ato ajrore, si dhe do të ishte i vlefshëm për 90 ditë, ashtu sikurse dokumenti që autoritetet serbe lëshojnë për shtetasit e Kosovës kur të hyjnë në Serbi.

Po ashtu të hënën pritej të hynte në fuqi edhe vendimi për riregjistrimin e makinave me targa me akronime të qyteteve të Kosovës që lëshohen nga Serbia. Vlerësohet se 10.000 makina me targa si KM (Mitrovica e Kosovës), PZ (Prizren) UR (Ferizaj) e të ngjashme, qarkullojnë në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Sipas vendimit të marrë më 29 qershor nga Qeveria e Kosovës, afati për riregjistrimin e makinave do të zgjaste deri më 30 shtator./Shqip.com