Rama fton banorët e lagjes Kalabria për diskutim rreth planit rregullues

Komuna e Prishtinës përmes një njoftimi përmes rrjetit social në Facebook ka bërë të ditur se kryetari i Komunës, Përparim Rama ka ftuar për një takim banorët e lagjes Kalabria për të diskutuar rreth planit rregullues.
“Bazuar në proceset e planifikimit të cilat i kemi në proces por edhe duke u bazuar në takimet që janë mbajtur më herët lidhur me hartimin/kompletimin e Planit Rregullues të Hollësishëm – “Kalabria”, në emër të Qytetit të Prishtinës, Kryetari, z. Perparim Rama ju fton të merrni pjesë në punëtorinë e ardhshme në të cilën do të diskutohen problematikat e lagjes tuaj’’ thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.
Sipas njoftimit kjo punëtori pritet të mbahet ditën e diele me 22 maj.
‘’ Punëtoria do të mbahet në Shkollën Fillore “7 Marsi” në Lagjen Kalabria të dielën, më 22 maj, nga ora 10:00 – 12:00’’ thuhet më tutje në njoftimin e Komunës.
Në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal që u mbajt me 10 maj, banorët e kësaj lagje kishin kërkuar takim me kryetarin Rama rreth planit rregullues të kësaj lagje./Shqip.com
