Lajme

Rama do të dorëzojë në Këshillin e Evropës rezolutë kundër raportit të Dick Marty

Kreu i Qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar se se janë duke bërë përgatitje për një rezolutë kundër raportit të Dick Martyt.

Rama tha se planifikon që në shtator t’i drejtohet vet ai Këshillit të Evropës në Strasburg.

”Ne po përgatisim një rezolutë në parlamentin shqiptar dhe unë personalisht do të shkoj në Strasburg, në rastin e parë, shpresoj në shtator, t’i drejtohem Këshillit të Evropës për një fakt që po bëhet gjithnjë e më shqetësues në këndvështrimin tim dhe këndvështrimin tonë, që është pabaza totale e raportit të Dick Marty-t si dhe ndikimi rus në këtë përrallë të një shtëpie të verdhë dhe trafikimit të organeve”, u deklaroi Rama para gazetarëve.

Kryeministri i Shqipërisë në maj kishte vizituar ish-presidentin Hashim Thaçi në burgun e Hagës.

Rama gjithashtu ka bërë një vizitë te familja e Thaçit në fshatin e tij të lindjes në Burojë të komunës së Skenderajt.

Kryeministri Rama së bashku me ministrat e tij kanë qëndruar gjatë ditës në Kosovë ku edhe kanë mbajtur mbledhjen e tetë të përbashkët me Qeverinë e Kosovës.