Lajme

Rama: Dështimi i festivalit “Sunny Hill”, zvarritje e Qeverisë që do i shkaktojë dëm kryeqytetit

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se dështimi që të mbahet festivali “Sunny Hill” në Prishtinë është zvarritje e qeverisë.

Përmes një postimi në Facebook, Rama tha se anulimi  festivalit është humbje për Prishtinën dhe Kosovën.

“Një vendim i tillë, i shkaktuar kryekëput nga zvarritjet e Qeverisë, do t’i shkaktojë dëm kryeqytetit në kulturë, turizëm, në zhvillimin ekonomik dhe në imazhin e vet të përgjithshëm. Dështimi i këtij festivali sivjet, është humbje jo vetëm për Prishtinën, por për gjithë Kosovën”, shkroi Rama.

Sipas Ramës, duke u zvarritur leja për mbajtjen e këtij festivali, qeveria ka tentuar të ndërhyj në vullnetin e asambleistëve shumicë të kësaj komune.

“Qeveria e Republikës së Kosovës duke e zvarritur procesin e vendimit të ligjshmërisë, ka tentuar të ndërhyjë në vullnetin dhe integritetin e asambleistëve shumicë të Kuvendit Komunal të Prishtinës, duke bërë përpjekje të vazhdueshme për të ndërhyrë në kompetencat e Kuvendit të Komunës dhe vullnetit të shumicës, e cila përfaqëson sovranin e kryeqytetit”.

Tutje, Rama tha se pret që qeveria të reflektojë dhe Sunny Hill Festival, t’i kthehet Prishtinës.

Lexo edhe:
Dështon “Sunny Hill” në Prishtinë, festivali zhvendoset në Tiranë

Festivali “Suny Hill” i cili është paraparë të mbahet në Breznicë të Epërme është anuluar dhe pritet që të mbahet në Tiranë.

Këtë e ka bërë të ditur, Dukagjin Lipa i cili tha se ky festival është anuluar për shkak të pengut të politikbërjes në kurriz të festivalit dhe të rinjëve të Kosovës./Shqip.com