Lajme

Rama, Berisha apo Nano? Fevziu tregon kush ia ka vështirësuar punën në emision

Për shumë gazetarë dhe moderatorë, një intervistë me liderët e shtetit do të ishte kurora e arritjes së tyre profesionale.

Intervistat, sidomos ato në studio dhe në transmetim të drejtpërdrejtë janë një nga zhanret më të vështira gazetareske.

Por Blendi Fevziu, moderator i emisionit “Opinion”, me një karrierë prej më shumë se 25-vjeçare në ekran dhe media është një nga gazetarët më të sprovuar me intervistat dhe debatet në studion e tij.

Për “Albana Osmani Show” ai ka treguar vështirësitë që ka ndeshur kur ka patur të ftuar tre nga njerëzit që kanë dominuar skenën politike shqiptare Edi Ramën, Sali Berishën dhe Fatos Nanon.

Të tre janë të vështirë, thotë Fevziu, por njëkohësisht, shton ai, të tre të aftë për të përballuar pyetjet e forta dhe debatin në emision.

Pjesë nga intervista për “Albana Osmani Show

Albana Osmani: Edhe pakëz fare te politika se është edhe një kuriozitet edhe i im, por edhe i shumëkujt që të ka ndjekur me intervistat shumë intensive në studio, gati-gati dukeshin si dy “luanë” në të dyja rastet të dy kryeministrat. Duke të ndjekur si publik dukeshe shumë herë shumë i guximshëm, shumë i rrufeshëm. Dhe, i zënë jo ti ngushtë, por ata, me cilin ka qenë më e vështirë intervista me Ramën apo me Berishën?

Blendi Fevziu: Të dy janë të vështirë. Por intervista nuk varet nga vështirësia e personit, varet nga momenti kur ti e bën intervistën. Nëse ka një çështje për të cilën ti mund ta pyesësh dhe ta gozhdosh politikanin është e rëndësishme. Nëse është një moment pa peshë të rëndësishme të lajmit, ti nuk ke çfarë i bën fare. Përshembull, sa herë që diskutohet në mëngjes qëllon që stafi më thotë pse nuk e merr Ramën për intervistë apo pse nuk merr tjetrin. Pyetja ime e parë është: Po mirë, por për çfarë do ta pyes? Që t’i ta marrësh një politikan duhet të ketë diçka për ta mbërthyer atë.

Albana Osmani: Të dy kanë qenë të vështirë?

Blendi Fevziu: Po. Por të dy të aftë për ta përballuar. Dhe Nano, tre. Njerëz të aftë për ta përballuar intervistën me ritëm, me provokime, me kundërpërgjigje. Ka njerëz që nuk ta përballojnë këtë lloj interviste. E dyta, ka një perceptim publik sikur ardhja e Ramës, Berishës është audiencë e madhe. Nuk është kështu, nuk ka të bëjë fare. Ti sot mund të kesh kryeministrin dhe e ke audiencën më të vogël se sa nesër me një lajm për një krim apo ngjarje tjerë. Sot, audienca është ngjarja dhe jo personi.

/Shqip.com