Lajme

Rama: Ballkani i Hapur është vendosur dhe do të bëhet, të gjithë do të vijnë herët a vonë

Kryeministri i Shqipërisë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se shtetet që ende nuk kanë pranuar të bëhen pjesë e “Ballkanit të Hapur”, do t’i bashkohen herët ose vonë, përcjell Shqip.com.

Në një konferencë për media me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Rama deklaroi se “kush vjen më vonë, thjesht i humbet kohë vendit dhe popullit të vet”.

Lexo edhe:
Kurti: Në takim me Merkelin, nuk na është kërkuar të përfshihemi në “Ballkanin e Hapur”

“Ballkani i Hapur është vendosur dhe do të bëhet, dhe çdo vit e më shumë do të provohet që është gjëja e duhur. Ballkani i Hapur do të jetë patjetër hapësira ku do të vijnë, njëri pak më shpejt, tjetri pak më vonë. Dhe kush vjen më vonë, thjesht i humbet kohë vendit dhe popullit të vet. Kaq e thjeshtë është kjo”, tha Rama.

Edi Rama në konferencë për media.

Sipas tij, kjo nismë është një interes strategjik dhe se është zbatim i Procesit të Berlinit.

“Ballkani i Hapur është një interes strategjik dhe është mekanizmi që bën Procesin e Berlinit. Për çdo projekt të BE-së ndërtohet një entitet që quhet njësia e zbatimit të projektit. E pra, Ballkani i Hapur është njësia e zbatimit të projektit të Procesit të Berlinit”, shtoi ai.

Lexo edhe:
Osmani: “Ballkani i Hapur” është i rrezikshëm

Lidhur me këtë çështje, kryeministri kosovar, Albin Kurti, tha se Kosova nuk merr pjesë në një nismë së bashku me Serbinë.

Kurti kishte deklaruar se emri “Ballkan i Hapur” nënkupton hapje ndaj ndikimeve ruse dhe kineze.

Kurse, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka quajtur të rrezikshme iniciativën e “Ballkanit të Hapur”, duke thënë se e vonon integrimin evropian të rajonit, teksa shtoi se Procesi i Berlinit është zgjidhja e vetme dhe e duhur për avancimin e rajonit.

Lexo edhe:
Kurti: “Ballkani i Hapur” nënkupton hapje ndaj ndikimeve ruse e kineze

Kosova ka refuzuar që të jetë pjesë e “Ballkanit të Hapur”, emri i së cilës iu ndryshua muajin e kaluar pasi quhej “Minishengeni”./Shqip.com