Lajme

Raketat ruse vrasin 15 persona në bllokun e banimit Chasiv Yar

Foto Reuters

Të paktën 15 persona janë vrarë dhe rreth 20 të tjerë dyshohet se janë varrosur nën rrënoja pasi raketat ruse goditën një bllok apartamentesh në Chasiv Yar, një qytet në Ukrainën lindore, thonë zyrtarët, raporton BBC.

Pesë viktima janë nxjerrë të gjallë. Numri i të vdekurve u dha nga një zyrtar ukrainas i shërbimeve të urgjencës.

Njëra anë e ndërtesës pesëkatëshe u copëtua, duke lënë një mal me rrënoja. Chasiv Yar është afër qytetit të Kramatorsk, në rajonin e Donetsk. Donetsk është fokusi i një shtytjeje ruse.

Guvernatori i rajonit Pavlo Kyrylenko tha se shkatërrimi ishte shkaktuar nga raketat ruse Uragan.

Në jug, forcat ukrainase hodhën raketa të dielën në qytetin Kherson të pushtuar nga Rusia. Raportet nga të dyja palët janë kontradiktore: një zyrtar ukrainas tha se një bazë ushtarake ruse u godit, ndërsa raportet ruse thonë se një spital u dëmtua dhe një shtëpi u shkatërrua.

Serhiy Bratchuk, një zyrtar i lartë ukrainas me bazë në Odesa, pretendoi se forcat ukrainase “goditën bazën e pushtuesve në rajonin e Khersonit” dhe postoi një foto që me sa duket tregon një shtëllungë të madhe tymi mbi Kherson.

Agjencia ruse e lajmeve Tass tha se sistemi i mbrojtjes ajrore të Khersonit u kundërpërgjigj dhe katër shpërthime u dëgjuan në qytet. Ai tha se një raketë ukrainase shkatërroi një shtëpi, duke plagosur dy persona. Dhe një faqe ruse e lajmeve, Khersonsky Vyestnik, tha se një spital u dëmtua në sulmin ukrainas.

Dhjetra punonjës të urgjencës janë ende në kërkim të trupave nën grumbujt e betonit dhe rrënojave në Chasiv Yar, të ndihmuar nga një buldozer dhe vinç për të ngritur pllakat e betonit./Shqip.com