Lajme

Raka apelon qytetarët: Mos përdorni antibiotikë kundër COVID-19

Mikrobiologu kosovar, Lul Raka

Mikrobiologu Lul Raka u ka bërë thirrje qytetarëve të enjten që të mos përdorin antibiotikë për ta luftuar Coronavirusin, edhe nëse ua përshkruan mjeku.

Sipas Rakës, përdorimi i tij kundër COVID-19 ka qenë problem në Kosovë, por edhe në botë.

Ai në Klan Kosova të enjten mbrëma është shprehur se antibiotikët “nuk kanë kurrfarë efekti në parandalimin virusit”.

“Këto ditë do të dalë udhërrëfyesi klinik për trajtimin e COVID-19 ku një kapitull i është kushtuar Coronavirusit. Antibiotikët janë marrë kot për ta trajtuar COVID-19. Antibiotikët jepen nëse të njëjtën kohë ke infeksion bakterial. Mos përdorni antibiotik edhe nëse ju përshkruan doktori”, ka thënë Raka.

Ndërsa, duke komentuar situatën me pandeminë në vend, dhe rritjen enorme të rasteve ditëve të fundit, mikrobiologu ka pohuar se varianti “Delta është shumë më i përhapur sesa variantet e kaluara”.

Ai ka theksuar se “Delta” përhapet një mijë herë tek njerëzit.

Ndryshe, vetëm gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë janë shënuar tetë raste të vdekjes dhe dy mijë e 236 raste pozitive./SHQIP.com