Sport Shqiptar

Rahoveci në finale, eliminon Pejën nga Kupa

FOTO: KB Rahoveci
FOTO: KB Rahoveci

Rahoveci ka shkaktuar befasinë më të madhe në ditën e parë të turneut “Final 8” të Kupës së Kosovës në basketboll.

“Vreshtarët” kanë eliminuar Pejën në çerekfinale për të siguruar kalimin në gjysmëfinale, ku i pret përballja me skuadrën e Trepçës.

Të mërkurën mbrëma, në palestrën “Mizahir Isma”, Rahoveci triumfoi me shifrat 90:79 për t’i dhënë fund shpresave të Pejës për të triumfuar në këtë garë. Rahoveci ishte bindshëm më i mirë dhe më efikas në tentimet për tri pikë për ta shënuar këtë fitore të madhe. Peja e fitoi çerekun e fundit (26:23) dhe luftoi deri në fund për ta kthyer rezultatin, por kjo nuk mjaftoi pasi Rahoveci ishte më i mirë në tri periudhat e para të ndeshjes. Në fakt, Rahoveci dallimin e bëri në fund të çerekut të tretë, kur krijoi epërsinë më të lartë në ndeshje prej 20 pikëve (67:47).

Plejmejkeri i Rahovecit, Jack Pagenkopf ishte më i merituar për këtë fitore, pasi e udhëhoqi ekipin me 23 pikë të shënuara dhe 6 asistime. Në këtë fitore të Rahovecit, kontribuan edhe Edmond Kryeziu e Igor Chumakov, që realizuan nga 14 pikë secili kurse kapiteni Bardh Rexha shtoi 10 pikë e po aq kërcime.

Te Peja, më efikasi ishte Devoe Joseph me 17 pikë të shënuara, i ndjekur nga Arian Qallaku (15) e Jalen Tate. Ndeshja gjysmëfinale ndërmjet Trepçës dhe Rahovecit do të zhvillohet të premten.

/Shqip.com