Lajme

Ragip Xhaka zgjedhet kryetar i degës së PDK-së në Zvicër

Babai i Granit dhe Taulant Xhakës është zgjedhur kryetar i degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Zvicër.

Kjo është bërë sipas njoftimit nga Partia Demokratike e Kosovës përmes një postimi në Facebook.

‘’Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, bashkë me bashkëpunëtorë, ka qëndruar sot në Aargau të Zvicrës, ku u mbajt Kuvendi Zgjedhor i Degës së PDK-së, pas një pune disa mujore për themelimin e nëndegëve të PDK-së në Zvicër kudo ku jetojnë shqiptarët’’ thuhet në njoftimin e PDK-së.

Gjatë fjalimit të tij, Krasniqi falënderoi bashkatdhetarët për pritjen madhështore duke thënë se mërgatën tonë dhe origjinën e Partisë Demokratike, para se t’i lidhë politika, i ka lidhur kauza e shenjtë për liri dhe kontributi e rrugëtimi i përbashkët në ditët e lavdisë së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Foto nga mbledhja e Partisë

“Qysh para gati 30 vitesh tashmë, pikërisht këtu në Zvicër, liderët tanë Hashim Thaçi e Kadri Veseli, bashkë me ju e shumë atdhetarë të tjerë si ju, kanë qenë duke punuar ditë e natë, për ta ngritur UÇK-në e përmes saj, lirinë e Kosovës. Prandaj, ne nuk harrojmë të shprehim respektin e thellë dhe mirënjohjen e përjetshme për kontributin tuaj të jashtëzakonshëm në arritjen e lirisë dhe ngritjen e shtetit tonë të pavarur.”, tha ai.

Krasniqi tha se mërgata ndër vite është bërë për shtyllë për shoqërinë duke ndihmuar ekonominë e Kosovës dhe duke ndërtuar fizionominë e saj.

“Por, çka është më e rëndësishmja, ju e keni sjellë edhe Kosovën në Zvicër. Xhaka, Shaqiri, Behrami e shumë sportistë e artistë të tjerë, sot i bëjnë nder secilit kosovar, secilit shqiptar kudo që është, me kontributin e tyre në zhvillimin e sportit, artit e kulturës, e fushave të tjera këtu në Zvicër. Po ashtu, plot ndërmarrës e biznesmenë të suksesshëm që janë bërë shembull i punës e përkushtimit në Zvicër, na nderojnë edhe neve në Kosovë. Na bën krenarë fakti se ju në Zvicër, jeni integruar në këtë shtet më mirë se kushdo tjetër nga jashtë, pa e shkëputur as edhe më të voglin element që ju lidhë me Kosovën, me kombin tonë dhe njerëzit tuaj atje. E po aq shumë krenohemi me të rinjtë e të rejat që janë arsimuar e po arsimohen, e të cilët, përveç që janë bërë kampionë në punë në shumë drejtime, tash kanë filluar me qenë pjesë e rëndësishme e drejtimit të shtetit zviceran në shumë nivele.”, u shpreh kryetari i PDK-së.

Krasniqi tha se nëse ka një parti në Kosovë që ka për çfarë të krenohet, ajo është PDK-ja, sepse nuk e ka ndalur asnjëherë punën, përkundër përpjekjeve për ta sabotuar dhe penguar./Shqip.com