Ekonomi

Rafuna: Në tre muaj e fundit, asnjë investitorë i huaj nuk ka vënë gurthemelin në Kosovë

Lulzim Rafuna, Kryetari i OEK
Lulzim Rafuna, Kryetari i OEK

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, thotë se në tre muaj e fundit ka pasur interesim të investitorëve të huaj, por asnjë prej tyre nuk e ka vendosur gurthemelin.

Madje, Rafuna tha se ka pasur investitorë prej të cilëve e kanë pyetur se a do të ketë luftë në Kosovë.

“Ka pasur dhe ka interesim, mirëpo nuk e kemi ende një investitor që e ka vendosë gurin e themelit ose që e ka filluar me fabrikë. Ka interesim, ka edhe prej atyre që më pyesin se a do të bëhet luftë, por jo diçka konkrete”, tha ai në Tëvë1.

Kryetari i OEK-së, tha se si odë kanë kërkuar nga liderët politikë që të kenë kujdes me mesazhet që i përçojnë rreth sigurisë në Kosovë, pasi që sipas tyre ndikohen direkt investitorët e huaj.

“Ne në të gjitha paraqitjet tona kemi kërkuar nga përfaqësuesit e shtetit që me të vërtetë të kenë kujdes me mesazhin që po e përçojnë, në mënyrë që shteti pa ekonomi nuk mund ekzistojë… bëj thirrje për kujdes se çfarë mesazhesh po përçojmë dhe se si e përcjellim atë në mediat e huaja, sidomos te investitorët e huaj”, tha ai.

Lidhur me bashkëpunimin e Odës Ekonomike me ministritë, ai theksoi se nuk kanë bashkëpunim me Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë e Tregtisë (MINT), si dhe me Ministrinë e Financave.

“MINT dhe Ministria e Financave, janë dy ministri që janë të veçuara në Qeverinë e Kosovës për mosbashkëpunim, për mospërgjigje, për moskomunikim nuk kanë dhënë e as nuk kemi kërkuar arsye se pse nuk bashkëpunojnë, dhe nuk do t’i lypim asnjëherë arsye. Nuk është vetëm me Odën Ekonomike, është me të gjitha odat”, shtoi ai.

/Shqip.com