Ekonomi Biznes

Rafuna: Është duke munguar një dialog i hapur mes bizneseve dhe Qeverisë

Lulzim Rafuna, Kryetari i OEK
Lulzim Rafuna, Kryetari i OEK

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka thënë se është duke munguar një dialog i hapur dhe i sinqertë mes bizneseve dhe Qeverisë. Për këtë, ai thotë se kanë shprehur gatishmëri, por nuk kanë marrë përgjigje nga ekzekutivi.

Rafuna ka theksuar se takime mes bizneseve dhe Qeverisë ndihmojnë në hartimin e politikave ekonomike dhe ngritjen së mirëqenies sociale.

“Më herët ka qenë Komiteti i Zhvillimit ekonomik që udhëhiqej nga kryemnisitrit dhe varësisht nga temat në takimet, vinin ministrat e linjës. Një dialog i tillë është duke munguar, nuk e kemi. Shkëmbejmë shkresa individualisht, por një dialog të hapur, transparent e të sinqertë nuk e kemi. Nuk ka asnjë arsye nga Qeveria pse ndodh kjo. Me gjithë sektorin privat, është e njëjta qasje. Kemi kërkuar gjatë tërë kohës, për të mirën e ekonomisë, të ndihmojmë për ngritjen e mirëqenies sociale, t’i ngrisim shqetësimet e bizneseve. Ne kemi shprehur gatishmëri për bashkëpunim”, ka thënë ai në KTV.

Siç ka thënë Rafuna, disa prej ministrave të Qeverisë Kurti kthejnë përgjigje të shpejta, ndërsa disa të tjerë, pa u përmendur emrat, ka thënë se nuk kthejnë me dhjetëra shkresa.

Kryetari i OEK-ut tutje ka thënë se rritja njëshifrore ekonomike, ashtu siç është parashikuar ta ketë Kosova sivjet, nuk sjell ndonjë ndikimin që vërehet, veçanërisht në uljen e papunësisë.

“Duhet të kalojmë në shifër dyshifrore, dhe për këtë duhet angazhim që ta kemi atë benefit të ekonomisë”, ka thënë ai.

Rafuna ka thënë se nuk kanë vërejtur ndonjë telash në treg që pas vendimit të Qeverisë për ndalimin e mallrave serbe.

Ai në fund ka deklaruar se tani është momenti i duhur për freskimin e politikave fiskale, të cilat nuk janë ndryshuar qe gjashtë vjet.

/Shqip.com