Lajme

Radoiçiq “rehaton” serbët në institucionet serbe në Kosovë

A po kujdeset ose po i “hesht“ Millan Radoiçiq serbët në jug të Ibrit?

Kjo pyetje shtrohet pasi më 20 janar, një grup prej rreth 50 anëtarësh të pakënaqur të komunitetit serb nga pjesa qendrore e Kosovës, mbajtën një takim me Radoiçiqin në Rashkë, qyteti në Serbi, në kufi me Kosovën.

Radoiçiq që nga viti 2018 është nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila funksionon me mbështetjen e Beogradit.

 Ndryshe, ai është në listën e zezë amerikane për shkak të përfshirjes së tij në krimin e organizuar ndërkombëtar.

Kosova është në kërkim të tij që nga viti 2022, kur është lëshuar një urdhër-arrest për frikësimin e dëshmitarëve në rastin e njohur si Brezovica, dhe po ashtu emri i tij ndërlidhet me vrasjen e politikanit opozitar serb, Oliver Ivanoviq.

Si ndodhi takimi në Rashkë dhe cilat ishin përfundimet?

Në emër të Listës Serbe, Radoiçiq u takua me pjesëtarët e komunitetit serb nga Kosova qendrore, të cilët në fillim të janarit protestuan kundër punësimit jotransparent, partiak dhe familjar në institucionet serbe që veprojnë në Kosovë, si dhe kundër dyfishimit të pagave të zyrtarëve të Listës Serbe. Organizator i këtij takimi ishte Igor Jovanoviq nga Komuna e Graçanicës.

Njëra prej të pranishmëve në takimin e 20 janarit ishte Lilana Rajkoviq, e cila, e është zhvendosur nga Ferizaj dhe tani jeton në Llapna Sellë të Graçanicës, që gjendet në afërsi të Prishtinës.

Ajo beson se në një të ardhme të afërt do të punësohet në një nga institucionet serbe që funksionojnë në Kosovë, sepse siç thotë ajo, “Radoiçiq ka thënë se punësimi do të bëhet në bazë të kartës sociale”.

Në komunat me shumicë serbe në Kosovë funksionojnë institucionet që veprojnë në sistemin serb, siç janë komunat paralele, Qendra për Punë Sociale, Posta, Agjencia e Punësimit, Fondi i Sigurimeve Pensionale dhe Shëndetësore e të tjera, raporton Radio Evropa e Lirë.

/Shqip.com