Lajme

Rada Tajkoviq kritikon Kurtin për deklaratën e dhënë në BBC

Politikanja serbe, Rada Trajkoviq

Kryetarja e Lëvizjes Evropiane të Serbëve, Rada Trajkoviq, ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin për deklaratën e dhënë në BBC, ku ky i fundit ka deklaruar se “Nuk do ta lejoj boshnjëzimin e Kosovës”.

Por, kjo deklaratë për politikanen serbe në Kosovë është “naive” në rastin më të mirë edhe “keqdashës” në rastin më të keq.

“Krahasimi i situatës së mbi një milion serbëve në Republikën Srpska (30 për qind e popullsisë multietnike në Bosnje) me situatën e 100,000 serbëve të Kosovës, mbijetesa e të cilëve varet në balancë në Kosovë, ku 95 për qind janë shqiptarë etnikë, është në rastin më të mirë naiv dhe keqdashëse në rastin më të keq”, ka thënë Trajkoviq në një postim në Twitter.

Çka ka thënë Kurti në BBC?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i tha BBC-së të martën se Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe nuk do ta lejojë.

Madje, theksoi se këtë do ta bëjë pa marrë parasysh pozicionin e tij në politikë; pozitë apo opozitë.

Pasi, Kurti thotë se për këtë është votuar, pra; ta parandalojë krijimin e Asociacionit.

Sipas asaj që Kurti tha në emsionin “Hard Talk”, Serbia e dëshiron “boshnjëzimin e Kosovës”.

Pikërisht, në mënyrë kronologjike përmendi edhe historinë e këtij shteti të cilin e merr referencë; Bosnjën.

“Kur Asociacioni nuk u implementua, asnjë serb në Kosovë nuk protestoi. Ishte Beogradi që u zemërua. Në vitin 1991, më 26 prill, 14 komuna me shumicë serbe në Bosnjë-Hercegovinë u bënë bashkë e krijuan Asociacionin”.

“Më 9 janar 1992, e shpallën pavarësinë, më 28 shkurt 1992, e bënë Kushtetutën e tyre, më 14 dhjetor 1995 në Dejton arritën njohjen ndërkombëtare. Duan ta përsëritin Bosnjën në Kosovë. Nuk do ta lejoj këtë”, ka deklaruar Kurti.

Pavarësisht kësaj, kreu i ekzekutivit kosovar thotë se do të punojë edhe për serbët, njëjtë si për shqiptarët.

Për serbët thekson se “nuk protestuan kur Gjykata Kushtetues hodhi poshtë Asociacionin”, por deklaroi se “Beogradi u zemërua”.

Kurti edhe si opozitë kishte kundërshtuar Asociacionin që në atë botë e quante “Zajednica”.

Nuk i kishte kursyer as protestat në rrugë e as aksionet në Kuvend e që përfundonin me dhunë.

Serbia insiston që të jetësohet Marrëveshja e Brukselit për Asociacionin, madje Lista Serbe “ka kërcënuar me dalje nga institucionet”.

Por, Gjykata Kushtetuese e ka shpallur si të jashtëligjshme atë marrëveshje. /Shqip.com