Lajme Për shkak të borxhit të akumuluar, kompania për menaxhimin e deponive të Kosovës ia mbylli derën Kompanisë rajonale “Pastrimi”. Kjo e fundit u arsyetua me mospagim të faturave nga qytetarët, por raporti i ZKA-së tregon se pati keq menaxhim të parasë.

Qytetarët: Grumbullimi i qenve endacak shkak i mbeturina

Ilustrim

Ka javë që mbeturinat në kryeqytet nuk po arrihet të menaxhohen.

Si rezultat, pasojat po dalin të jenë edhe më të mëdha, sesa veç grumbullimi i tyre.

Një banor i lagjes Dardania i tha Shqip.com se mos grumbullimi i tyre është duke ndikuar që të rritet edhe turma e qeneve endacak.

“Mbeturinat janë problem për banoret por edhe qenët po grumbullohen tek ato. Kjo gjendje po është e rrezikshme për banoret që po jetojnë këtu edhe të gjithë atyre që kalojnë këndej”

Kurse, një qytetare tha se problemi qëndron në kundërmimin e erërave që vijnë nga pikat grumbulluese në lagjen të cilën jeton.

“Sa herë kaloj këtej vjen erë e rëndë, bërllokun janë duke e marrë po është duke u mbush shumë shpejt dhe për këtë duhet një zgjedhje”.

Për menaxhimin e këtyre mbeturinave, një tjetër qytetar sugjeron që mbeturinat të largohen dy herë në ditë.

“Kompania e pastrimit i merr çdo natë gjatë mbrëmjes mbeturinat por gjatë ditës mbushet këtu plot sepse të gjithë banoret që jetojnë afër i hedhin mbeturinat këtu. Është mirë që mbeturinat të largohen nga këtu dy herë në ditë dhe jo vetëm një herë”.

Kompania “Pastrimi” nga 1 korriku nuk ka mbledhur me ditë të tëra mbeturinat.

Kjo pasi Kompania për menaxhimin e deponive të Kosovës nuk është duke lejuar të bëjë derdhjen e tyre në Deponinë e Mirashit, për shkak të borxhit të akumuluar.

Shqip.com ka provuar të marrë një përgjigje nga ish-kryeshefi, i cili u shkarkuar nga bordi gjatë ditës, por i njëjtit nuk i është përgjigjur telefonatave.

Në të kaluarën, ai është arsyetuar se nuk kanë para për shkak të mospagimit të faturave nga qytetarët.

ZKA gjen keqmenaxhim të parasë nga kompania regjionale “Pastrimi”

Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit, tregon se kompania “Pastrimi” ka pasur probleme në menaxhim të parasë.

Një nga vërejtjet e ZKA-së janë gabimet e përllogaritjeve të pagave.

“Gjatë auditimit të 70 mostrave të pagave, në shtatë (7) prej tyre kemi hasur në gabime të përllogaritjeve të pagave. Më konkretisht katër (4) raste tek llogaritja e orëve të punës, dy (2) raste në llogaritjen e mëditjeve, dhe një (1) rast ka të bëj me dallim në llogaritje për shkak të mos përputhjes së pagës bruto në kontratë dhe të dhënave në sistem për 10 muajt e vitit 2021”, është shkruar në raport.

Sipas tyre, kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së kontrollove të duhura në shërbimin e personelit, dhe mos komunikimit të duhur më shërbimin e arkivës.

Po ashtu sipas raportit, kjo kompani ka bërë prezantim jo i saktë të vlerës neto të pasurive dhe shpenzimeve të zhvlerësimit.

“Kompania, pas rivlerësimit të pasurive nuk i kishte trajtuar ato sipas kërkesave të standardeve. Vlera neto e tyre në PVF ishte prezantuar në shumën 5,196,659€, ndërsa sipas auditimit, kjo vlerë rezulton të jetë 5,411,075€”.

Si rrjedhojë, kjo shumë nuk përputhet me shumë për 214,417€, për arsye se me rastin e rivlerësimit të pasurive, kompania nuk e kishte bërë zhvlerësimin e tyre me vlerën e rivlerësuar.

Në bazë të raportit kjo kishte ndodhur për shkak se kompania ka problem me programin e pasurive në lidhje me vendosjen e vlerës së rivlerësuar në program.

Kurse, sot për shkak të keqmenaxhimit është shkarkuar kryeshefi ekzekutiv i kompanisë “Pastrimi”.

Kryetari i Komunës së Prishtinës ka thënë se është bërë mbi punësim dhe nepotizëm në këtë kompani.

Kompania “Pastrimi” e cila bënë mbledhjen dhe grumbullimin e mbeturinave në Prishtinë, shpeshherë ka ndërprerë punën e tyre.

Lexo edhe:

Shkarkohet Kryeshefi ekzekutiv i kompanisë “Pastrimi” – SHQIP.com

Kjo ka ardhur për shkak se deponia në Mirash ka ndaluar zbrazjen e kamionëve të mbeturinave që vjen nga kjo kompani.

Kohë më parë kryeshefi ekzekutiv i Kompanisë për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK SH.A.), Abdullah Haxhiu tha për SHQIP.com se Kompanisë “Pastrimi” i është ndaluar zbrazja e kamionëve për shkak të borxhit që ka kjo kompani.

Lexo edhe:
KMDK paralajmëron mbylljen e deponive në rast se Kompania

Sipas Haxhiut, borxhi i Kompanisë “Pastrimi” ka arritur në 400 mijë euro.

Lexo edhe:
Prishtina rrezikon të kaplohet nga bërllogu, punëtorët e kompanisë

KMDK-ja për shkak të borxhit të kësaj kompanie, ja kishte bllokuar edhe xhirollogaritë e punëtorëve të saj.

Nga ky bllokim kompania “Pastrimi” nuk kishte dalur për një kohë që të bëjë grumbullimin e mbeturinave./Shqip.com