Lajme

Qytetarët: Diskriminuese shtesat prej 50 eurosh në sektorin publik

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për shtesat me nga 50 euro edhe gjatë muajit janar për punëtorët e sektorit publik, nuk u ndanë të kënaqur disa qytetarë në kryeqytet, kjo meqë sipas tyre është diskriminim ndaj sektorit privat.

Vendimi i qeverisë për shtesat prej 50 eurosh në pagë vetëm për punëtorët e sektorit publik edhe për muajin janar, nuk u mirëprit nga qytetarët të cilët punojnë në sektorin privat.

Sherif Ibishi, shprehet i zhgënjyer nga ky vendim. “Edhe unë jam në privat neve kerkush as firma as kerkush as shteti, çka me bo ski ku ankohesh”, tha qytetari Sherif Ibishi.

Ndërkaq, qytetarë tjerë e cilësojnë si diskriminim vendimin e ekzekutivit kosovar.

“Qytetarët janë të njëjtë si në sektor privat dhe në atë publik duhet barabartë të shkojë nuk ka arsyetim ndarja, kjo është diskriminim dhe këtë nuk duhej ta lejonte qeveria”, deklaroi Nait Hasani.

“Mendoj se nuk është në rregull sepse sikur ai privat dhe publik mendoj që është desht me kon njëjtë, mendoj se gjithmonë sektori privat po diskriminohet”, theksoi qytetari Sebi Çavdarbasha.

“Normal duhet në të dy anët dhe në publik dhe atë privat”, u shpreh qytetari tjetër Valon Sadriu.

“Konsideroj që nuk është deshtë me bo dallime, gjithë me qenë njëjtë sepse edhe ata janë pjesë e shoqërisë, po me duket diskriminim… Edhe pse vet i takoj sektorit publik, por mendoj se edhe ata të sektorit privat është dashur të kenë të njëjtin privilegj”, tha Selman Babaj, raporton teve1.

E ekonomisti Jakup Bellaqa, tregon arsyet pse sektori privat duhej të përfitonte nga kjo shtesë.

“Për sektorin publik kjo është e mirëseardhur edhe pse kosto e jetesës është më e lartë, por kish qenë mirë edhe në sektorin privat sepse ky sektor është gjeneratori i të hyrave dhe buxhetit të Kosovës, me mbështetjen e sektorit privat të Kosovës kish stimulua dhe konsumin, ndërkohë kur rritet konsumi ishte rrit kërkesa dhe fuqia blerëse”, bëri të ditur Bellaqa.

Vendimi për 50 eurot shtesë për sektorin publik u morë në mbledhjen e së mërkurës të qeverisë.

/Shqip.com