Lajme

Qytetarë serbë nga Kosova nisen me autobusë drejt Serbisë për të votuar

Në pikën kufitare në Jarinjë është rritur fuksi i qytetarëve serb të cilët ia kanë mësyer Serbisë për të marrë pjesë në referendum, raporton Shqip.com.

Zyrtarë nga qendra kombëtare për menaxhim kufitar kanë deklaruar se është rritur fluksi në pikën kufitare në Jarinjë dhe se pritjet në dalje janë deri në dy orë.

“Në dalje pritja zgjatë një deri në dy orë kjo është duke ndodhur për shkak se ka fluks të madh të automjeteve të cilat janë duke shkuar në Serbi për referendum”, kanë deklaruar për Shqip.com.

Sipas pamjeve, shihet një numër i madh i veturave dhe autobusëve që në mënyrë të organizuar janë nisur për të votuar ndaj ndryshimit të Kushtetutës.

Në mengjesin e sotëm, disa qytetarë serbë kanë mbajtur një tubim në shenjë pakënaqësie rreth vendimit të Qeverisë së Kosovës për të mos u mbajtur referendumi serb në vend.

Kufiri në Jarinjë

Zëdhënësi i policisë në veri të Mitrovicës, Besim Hoti për Shqip.com tha se tubimi i serbëve ka përfunduar pa incidente.

“Tubimi i sotëm që nuk ka qenë protestë. Ajo ka përfunduar pas improvizimit të votimit te kutia që ka qenë e vendosur aty. Qytetarët pasi u larguan nga vendi, ka pasur edhe një tubim tjetër që disa qytetarë kanë vendosur lule pranë varrit të ish-politikanit Oliver Ivanoviq. Nuk kemi hasur në asnjë incident gjatë këtyre tubimeve, kanë qenë paqësore”, ka thënë Hoti.

Serbia ka tentuar që referendumi të mbahet edhe në Kosovë por që është kundërshtuar nëpërmjet miratimit të një rezolute në Kuvendin e Kosovës./Shqip.com