Lajme

QUINT: Qeveria të mos marrë asnjë masë për të detyruar hyrjen në ndërtesat komunale në veri

QUINT
QUINT

Shtetet e QUINT-it në një komunikatë të përbashkët për media, kanë dënuar vendimin e Kosovës për të detyruar hyrjen në ndërtesat komunale në veri të Kosovës.

Në këtë deklaratë, ambasadorët thanë se QUINT-i dhe Bashkimi Evropian presin që Kosova të mos ndërmarrë asnjë masë të re për të detyruar hyrjen në ndërtesat komunale në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

QUINT-i dhe BE-ja theksojnë edhe njëherë se dialogu i lehtësuar nga BE-ja është rruga drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe pranimit në BE.

“Veprimet e reja të njëanshme do të ndikojnë negativisht në marrëdhëniet me vendet e Quintit dhe BE-në. Quinti dhe BE-ja theksojnë se Dialogu i lehtësuar nga BE-ja është rruga drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe pranimit në BE”, thuhet në deklaratë.

Tutje, në këtë deklaratë bëhet thirrje që palët të punojnë së bashku në hapat e ardhshëm për zbatimin e Marrëveshjes së arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke përfshirë edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe, dhe të marrin pjesë në mënyrë konstruktive dhe të sinqertë në takimet e ardhshme të Dialogut.

Ndërkaq, QUINT-i ka kërkuar nga kryetarët e zgjedhur të tregojnë përmbajtje dhe të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të demonstruar përkushtimin dhe përgjegjësinë e tyre për të përfaqësuar dhe shërbyer të gjithë anëtarët e komuniteteve të tyre.

“Në të njëjtën kohë, ne i paralajmërojmë fuqishëm të gjitha palët kundër kërcënimeve ose veprimeve të tjera që mund të ndikojnë në një mjedis të sigurt duke përfshirë lirinë e lëvizjes, dhe që mund të nxisin tensionet ose të nxisin konfliktin. Ne jemi veçanërisht të shqetësuar për sigurinë dhe mirëqenien e civilëve, policëve, anëtarëve të EULEX-it dhe KFOR-i”, thuhet tutje në komunikatë.

/Shqip.com