Kulturë

QKLL aktivitet për Skënderbeun: Simbol i Europës së madhe

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka organizuar sot një aktivitet kushtuar figurës së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

“Kujtuam sot në 556-vjetorin e ndarjes nga jeta, një nga figurat themelore të historisë dhe identitetit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeun.

Historianët Ferit Duka dhe Nevila Nika sollën në fjalën e tyre përmasat botërore të kësaj figure të rëndësishme, jo vetëm për Europën, si një simbol i përjetshëm i lirisë njerëzore”, thuhet në postimin e QKLL.

Gjatë këtij takimi u promovua dhe Bibliografia “Gjergj Kastrioti Skëndërbeu në veprat e autorëve shqiptarë”, me autor Hysen Dizdari si dhe u hap një ekspozitë me botime në kohë mbi këtë figurë.

Bibliografia fillon në vitin 1480 dhe përfundon në muajin shtator të vitit 2023. Objektivi themelor i kësaj bibliografie është përshkrimi i librave historikë, librave letrarë e artistikë, biografive, albumeve, katalogëve të ndryshëm kushtuar heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, të shkruara në gjuhën shqipe dhe të huaj nga autorë me etni dhe origjinë shqiptare.

Kjo bibliografi i bashkohet veprave të tjera në këtë gjini mbi figurën e Skënderbeut të shkruara nga bibliografë të shquar si prof. Gjergj Prekazi, Dhimitër Shuteriqi, Palok Daka, Jup Kastrati, Isak Shema, Ibrahim Rugova, Maksim Gjinaj, Etleva Domi, Willy Kasmi, etj.

/Shqip.com