Lajme Botë

Qindra të vrarë dhe të plagosur nga sulmi terrorist në Somali

Gjatë ditës së sotme ka ndodhur një sulm terrorist në Somali i cili ka lënë të vrarë të paktën 100 persona ndërsa, ka lënë të plagosur rreth 300 të tjerë.

Siç raporton BBC, në mesin e viktimave ka burra, gra e fëmijë.

Presidenti Hassan Sheikh Mohamud ka fajësuar grupin militant Al-Shabab për këtë sulm i cili vuri në shënjestër Ministrinë e Arsimit.

“Jam këtu për t’i thënë popullit somalez se sulme të tilla të tetorit nuk do të ndodhin më, duke dashur Zoti. Shpërthimet qenë një mesazh i dërguar nga militantët për të treguar se janë ende gjallë, pavarësisht nga fakti se ato u mundën në fushëbetejë nga forcat qeveritare,” tha ai.

Në këtë ditë ndodhën dy shpërthime njëra pas tjetrës, krahas të vrarëve janë shkatërruar ndërtesa dhe makina në afërsi.

Pas sulmit të së shtunës, qindra njerëz janë mbledhur pranë vendit, duke kërkuar për anëtarë të humbur të familjes.

Misioni i Bashkimit Afrikan (AU) në Somali tha se “sulmet nënvizojnë urgjencën dhe rëndësinë kritike të ofensivës ushtarake në vazhdim për të degraduar më tej al-Shabab”.

SHBA, Turqia, Katari dhe Gjermania e kanë dënuar të gjithë sulmin.

Uebsajti pro-xhihadist “Somali Memo” ka raportuar se grupi në fjalë ishte prapa shpërthimeve.

Degë e al-Kaedës, al-Shabab është përfshirë në një konflikt të gjatë me qeverinë federale somaleze.

Presidenti Mohamud, u zotua për “luftë totale” kundër militantëve islamistë pasi ata sulmuan një hotel popullor në Mogadishu në gusht duke vrarë së paku 21 vetë.

Një kamion shpërtheu në të njëjtën kryqëzim pothuajse saktësisht pesë vjet më parë, duke lënë më shumë se 500 njerëz të vdekur – sulmi më i keq i tillë në historinë e vendit.

Al-Shabab ka luftuar qeverinë federale të mbështetur nga AU për kontrollin e Somalisë për rreth 15 vjet.

Grupi kontrollon pjesën më të madhe të Somalisë jugore dhe qendrore, por gjithashtu ka qenë në gjendje të shtrijë ndikimin e tij në zonat e kontrolluara nga qeveria me bazë në Mogadishu.

/Shqip.com