Ekonomi Biznes

Qindra gjoba ndaj klubeve të natës

Administrata Tatimore e Kosovës
Administrata Tatimore e Kosovës

Gjatë inspektimeve në klubet e natës, bare dhe restorante të ndryshme, inspektorët e Administratës Tatimore të Kosovës kanë shqiptuar 163 gjoba.

“Gjatë inspektimeve, inspektorët kanë identifikuar disa raste ku klubet e natës, restoranet dhe baret e ndryshme, nuk po i respektojnë rregullat tatimore – kryesisht në lëshimin e kuponëve fiskal. Andaj, si rezultat i këtyre aktiviteteve janë vizituar 12 subjekte biznesore, tek të cilat është konstatuar se nuk kanë lëshuar kuponë fiskal pas shërbimeve të ofruara. Me këtë rast, janë lëshuar 163 gjoba në vlerë 41 mijë euro, për të cilat do të iniciohen raste penale. Këto aktivitete kanë evidentuar edhe 77 punëtorë të pa regjistruar, si dhe janë konfiskuar 7 printer jo-fiskal”, ka njoftuar ATK.

Ky institucion ka thënë se këto inspektime janë bërë në përpjekje për të siguruar që këto biznese janë duke respektuar thirrjet ligjore për lëshim të kuponëve fiskal, derisa ua ka rikujtuar të gjithë personave, të cilët merren me aktivitete afariste, se në bazë të legjislacionit tatimor aty ku nuk kërkohet të lëshohet faturë tatimore, janë të obliguar që të pajisen me pajisje elektronike fiskale (PEF) / sistem fiskal (SF) dhe të lëshojnë kuponë fiskal.

/Shqip.com